“Ikni nga veriu i Gazës! Nuk duam viktima të pafajshme”
Banorët e Rripit të Gazës po shpërngulen nga veriu në jug të këtij territori. Ushtria izraelite po lajmëron prej mëngjesit të kësaj të Premteje, 1.1 milion palestinezët që jetojnë në zonat veri të largohen “për të mirën e tyre” dhe për të shmangur viktimat mes civilëve të pafajshëm, siç thuhet në deklaratat e shpërndara.
Thirrjet lëshohen teksa qindra makineri të tjera të ushtrisë izraelite po grumbullohen në kufirin jugor me Gazën, gati për të nisur sulmin tokësor hakmarrës për shkatërrimin e terroristëve të Hamasit.
Bombardimet ajrore izraelite kanë vijuar edhe në ditën e 7-të me intensitet të lartë. Në shënjestër janë bazat e dyshuara të Hamasit, ku organizata terroriste palestineze fsheh armatimet. Numri i viktimave palestineze është thelluar në 1400 dhe në 1300 mes izraelitëve. Frika nga përfshirja e Hezbollahut në sulmet kundër Izraelit ka bërë që autoritetet izraelite të blindojnë me ushtri edhe kufirin me Libanin, ku veprojnë aleatët e Hamasit.
Në Tel Aviv mbërriti këtë të Premte edhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Lloid Ostin, në një kohë që në rajon është edhe ai i shtetit Entoni Blinken. Pas Izraelit, Blinken vizitoi Jordaninë ku u takua me kreun e autoritetit palestinez Mahmud Abas dhe me mbretin e Jordanisë, Abdullah, ku në fokus të takimeve ishin rrugëzgjidhjet për shmangien e zgjerimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Tv Klan