Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze në Gaza ka deklaruar se Izraeli ju ka thënë atyre që të evakuojnë Al-Quds, një spital kyç në qytetin e Gazës. Por organizata ka thënë se ka pacientë në njësitë e kujdesit intensiv dhe foshnja në inkubatorë dhe në këtë mënyrë, lëvizja e tyre është e pamundur. Sipas raportimeve të mediave të huaja, mendohet se rreth 14,000 civilë janë strehuar në spital dhe mjediset e tij.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim urgjent gjatë ditës së sotme për krizën humanitare në Rripin e Gazës pasi Izraeli zgjeroi operacionin e tij tokësor në territorin palestinez gjatë fundjavës. Gjatë takimit, të kërkuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Këshilli i Sigurimit do të përditësohet nga agjencia e OKB-së që ofron ndihmë për palestinezët.
Të shtunën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres shprehu keqardhjen që Izraeli kishte intensifikuar operacionet ushtarake në vend që të lejonte një shkëputje të nevojshme humanitare të mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar.
Këshilli i Sigurimit deri më tani ka dështuar në katër përpjekje për të siguruar një rezolutë të armëpushimit. OKB-ja thotë se, sipas dëshmive, në veri të Gazës, sulmet ajrore duket se po shkatërrojnë sistematikisht zonat e banuara.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë njoftuar se e kanë goditur 600 objektiva të Hamasit të dielën. Kjo krahasohet me 450 që ata thanë se kishin goditur të shtunën. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se më shumë se 8,000 njerëz janë vrarë që nga fillimi i bombardimeve hakmarrëse të Izraelit./tvklan.al