Netanjahu hedh poshtë akuzat se Izraeli po përpiqet të pushtojë Rripin e Gazës apo spastrojë popullsinë palestineze
Në seancën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që zhvillohet këtë të enjte Izraeli përballet me akuza për genocid në Gaza.
Në padi kërkohet ndalimi i menjëhershëm i luftës, dërgimi i ndihmave humanitare dhe rikthimi i civilëve palestinezë në vendbanimet e tyre. Në akuzat për gjenocid, Afrika e Jugut pretendon se veprimet e Izraelit synojnë të shkatërrojnë një pjesë të konsiderueshme të kombit, racës dhe grupit etnik palestinez.
Adila Hassim, avokate e Gjykatës së Lartë të Afrikës së Jugut, u shpreh se Izraeli ka kryer akte që bien në përkufizimin e gjenocidit.
“Çdo ditë ka humbje të jetëve, pronave, dinjitetit dhe humanizmit për popullin palestinez. Burimet tona të lajmeve tregojnë imazhe grafike të vuajtjeve. Asgjë nuk do t’i ndalojë vuajtjet përveç një urdhri nga kjo gjykatë. Pa një tregues të masave, mizoritë do të vazhdojnë me Forcën e Mbrojtjes izraelite duke treguar se synon të vijojë luftimet për të paktën një vit.”
Përpara procesit gjyqësor, qindra protestues pro-izraelitë marshuan pranë ndërtesës së gjykatës me pankarta ku shkruhej “Sillini në shtëpi”, duke iu referuar pengjeve ende të mbajtura nga Hamasi. Mes turmave, njerëzit mbanin flamuj izraelitë dhe holandez.
Tre muaj bombardime izraelite kanë shkatërruar pjesën më të madhe të enklavës së ngushtë bregdetare, duke vrarë më shumë se 23,000 njerëz dhe duke zhvendosur gjysmën e popullsinë prej 2.3 milion palestinezësh nga shtëpitë e tyre duke krijuar atë që Kombet e Bashkuara e përshkruajnë si një katastrofë humanitare.
Zëdhënësi i qeverisë izraelite, Eylon Levy e krahasoi padinë me një teori konspirative antisemitike shekullore që akuzonte në mënyrë të rreme hebrenjtë për vrasjen e foshnjave për rituale: “Shteti i Izraelit paraqitet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpifjen absurde të Afrikës së Jugut”, u shpreh Levy.
Ndërkaq, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu hodhi poshtë të gjitha akuzat se Izraeli po përpiqet të pushtojë Rripin e Gazës apo spastrojë popullsinë palestineze. Sipas tij, qëllimi i vetëm i ushtrisë izraelite është të lirojë pengjet dhe të demilitarizojë e të zhdukë Hamasin nga ky territor.
Klan News