Ushtria izraelite kreu sulme dhe bastisje në Bregun e pushtuar Perëndimor si dhe e ka rrethuar qytetin Xhenin, sipas zyrtarëve palestinezë.
Forcat izraelite kanë rrethuar qytetin, duke i bllokuar hyrjet dhe daljet dhe qasjen në spitale, si dhe shkatërroi infrastrukturën.
Ky është operacioni më i madh izraelit, me të paktën katër qytete palestineze të shënjestruar në të njëjtën kohë – Jenin, Tulkarm, Nablus dhe Tubas. Është hera e parë që prej revoltës së madhe palestineze të viteve 2000 deri 2005, kundër pushtimit të territoreve të tyre, që disa qytete të Bregut Perëndimor sulmohen njëherës nga ushtria izraelite. Autoriteti palestinez që ka nën kontroll Bregun Perëndimor paralajmëroi se këto sulme të çojnë në rrugë të rrezikshme.
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) ka dënuar përgjigjen gjithnjë e më të madhe ushtarake të forcave izraelite të sigurisë në Bregun Perëndimor të pushtuar.
“Dhuna ndërmjet ushtrisë izraelite dhe palestinezëve të armatosur në Bregun Perëndimor nuk përbën një konflikt të armatosur sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se përdorimi i forcës në Bregun e pushtuar Perëndimor duhet të jetë në përputhje me normat e të drejtave të njeriut”. Nga ana tjetër edhe Hamasi u bëri thirrje palestinezëve në Bregun Perëndimor të ngrihen në këmbë, duke thënë se sulmet janë pjesë e një plani të gjerë për ta zgjeruar luftën në Gazë.
Që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, Izraeli ka kryer bastisje pothuajse ditore në të gjithë Bregun Perëndimor. Mijëra palestinezë janë arrestuar në bastisje dhe më shumë se 660 luftëtarë dhe civilë janë vrarë në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor që nga fillimi i luftës. Të paktën 30 izraelitë janë vrarë në sulmet në Jerusalem dhe Bregun Perëndimor gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave izraelite.