Izraeli kërkon të pushtojë edhe Rafahun

BE dhe SHBA apelojnë që të shmanget katastrofa

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu urdhëron ushtrinë të pushtojë edhe Rafahun, qytetin e fundit në Rripin e Gazës i mbetur i pashkelur nga trupat e Izraelit që kërkojnë hakmarrje ndaj Hamasit.

Por aleatët perëndimorë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian i bëjnë thirrje shefit të qeverisë izraelite të shmangë atë që ata e konsiderojnë një katastrofë të mundshme.

Në qytetin e ndodhur në skajin jugperëndimor të Rripit të Gazës kanë gjetur strehë 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur nga zonat e tjera të territorit ku luftohet që pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 Tetor.

Nëse edhe Rafahu përfshihet nga luftimet, nuk ka më asnjë zonë që u garanton atyre jetën. Në Rafah ndodhet edhe pika më e rëndësishme kufitare me Egjiptin nga ku hyjnë ndihmat jetike humanitare. Bllokimi i kësaj pike nga luftimet mund të thellojë katastrofën humanitare.

Marrjen e Rafahut, Netanjahu e konsideron si momentin kulminant të spastrimit të Rripit të Gazës nga Hamasi, ndërsa ushtrisë i ka kërkuar që ta përmbushë misionin deri para nisjes së Ramazanit më 11 Mars. Lufta në Rripin e Gazës i ka marrë jetën 27, 900 palestinezëve, shumica dërrmuese civilë.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share