“PËRKUSHTIM I DOBËT I INSTITUCIONEVE NË LUFTËN KUNDËR KORRUPSIONIT”
Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit do t’i jap rëndësi të veçantë lëndës për korridoret 8 dhe 10D, njofton KlanM.
Kryetarja e këtij komisioni, Biljana Ivanovska tha sot se, komisioni veç më ka marrë një pjesë të dokumentacionit të nevojshëm për lëndën që ka hapur në lidhje me korridoret 8 dhe 10D dhe janë në pritje të dokumentacionit tjetër.
“Është hapur lëndë te ne, jemi në fazë të mbledhjes së të gjithë dokumentacionit të nevojshëm, një pjesë e kemi marrë, i presim të tjerat. Për shkak të specifikës së lëndës, këtë lëndë do ta punojë një ekip edhe e këshilltarëve edhe e anëtarëve të komisionit, do të thotë do t’i japim rëndësi të veçantë dhe kujdes, me qëllim që ta nxjerrim në shesh të vërtetën dhe rezultatet do t’i kumtojmë në seancë publike” – tha Biljana Ivanovska.
Ivanovska gjatë konferencës vjetore për vlerësim të realizimit të Strategjisë Nacionale për parandalim të korrupsionit dhe konfliktit të interesit, në vitin 2022, sic njofton KlanM, tha se kanë përfunduar vetëm 10 përqind të aktiviteteve të planifikuara të planit aksional të kësaj strategjie. Arsyeja për këtë, sipas saj, është përkushtimi i dobët i institucioneve.
“Keni institucione që kanë ndërruar nga tre – katër ministra në periudhën derisa zbatohet strategjia nacionale dhe gjithë kjo në kushte kur ka administratë të pamjaftueshme profesionale falë ndikimeve politike gjatë punësimeve rezultatet janë ashtu siç janë” – tha Biljana Ivaovska.
Ditëve të fundit, mediat në vend kanë publikuar informata për të dhëna të dyshimta sa i përket tenderit për përzgjedhjen e kompanisë për mbikëqyrjen e ndërtimit të korridorit 8. Përpos Antikorrupsionit, për këtë ka hapur lëndë edhe prokuroria. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Teuta Buçi