Rivalët e Shqipërisë në Europian projektojnë miqësore me Venezuelën dhe Ekuadorin
Italia ka projektuar dy miqësore për muajin mars në prag të Kampionatit Europian në Gjermani. Kombëtarja Axurre që debuton në turneun e qershorit pikërisht përballë përfaqësueses shqiptare do të luaj të dyja sfidat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Federata Italiane e Futbollit ka arritur akordin për t’u ndeshur me Venezuelën dhe Ekuadorin. Siç njoftohet në faqen zyrtare të këtij organi, përballja e parë do të jetë ajo e 21 marsit në stadiumin e Inter Miami. Ndërkaq, tre ditë më pas, do të jetë radha për të sfiduar Ekuadorin në New York. Këto dy ndeshje do të shërbejnë edhe si vitrinë e rëndësishme në Shtetet e Bashkuara, ku kombëtarja mungon që nga viti 2005, pikërisht për një ndeshje miqësore ndaj Ekuadorit. Ndërsa kjo do të jetë ndeshja e parë në histori kundër Venezuelës.
Kombëtarja italiane është kundërshtari i Shqipërisë në Kampionatin Europian, pasi zbret në fushë më 15 qershor në Dortmund. Italia është kampione në fuqi dhe do tentojë për të ruajtur titullin në këtë edicion të turneut më të rëndësishëm kontinental. Sa i përket kuqezinjve, Shqipëria do të luajë më 25 mars një miqësore ndaj Suedisë në Stokholm.
Klan News