Zgjerimi i Bashkimit Evropian është në interesin e tij strategjik dhe të garantimit të sigurisë, deklaruan liderët e Italisë, Sllovenisë, Kroacisë, Hungarisë dhe Austrisë në samitin në Brdo afër Kranjës, me rastin e njëzetëvjetorit të anëtarësimit të Sllovenisë në Bashkimin Evropian.
Presidenti kroat Zoran Milanoviç fajësoi shtetet anëtare për faktin se këtë vit Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk hapën asnjë kapitull.
“Zgjerimi nuk ka të bëjë vetëm me përmbushjen e kritereve. Për fat të keq po hasim edhe shumë burokraci në politikën evropiane. Kjo është arsyeja pse vendet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi “nuk hapën asnjë kapitull”.”
Presidentja e Sllovenisë Nataša Pirc Musar dhe ai austriak Alexander Van Der Bellen premtuan ndihmë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Zgjerimi do të thotë fuqi e madhe transformuese. Ne jemi presidentë të vendeve që mbështesin hyrjen e shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.”
Presidenti i Italisë Sergio Mattarella, kujtoi kohën kur Sllovenia u bë anëtare e Bashkimit Evropian së bashku me nëntë vende të tjera në vitin 2004.
“Nëse duam të vazhdojmë të ndërtojmë paqen, duhet të përfundojmë projektin evropian. Sot është më i rëndësishëm se kurrë. Sidomos kur flasim për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët presin prej 20 vjetësh hyrjen në BE.”
Presidenti hungarez Tamas Suljoko tha se vendi i tij është i përkushtuar për përshpejtimin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe se ai dëshiron që të nxise negociatat për anëtarësim, sa më shpejt të jetë e mundur.
Klan News