Drejtësia italiane e ka dënuar ish-futbollistin e milanit dhe mikun e tij me 9 vite burg, pasi abuzuan me një shqiptare
Ministria italiane e Drejtësisë i ka dërguar Brazilit kërkesën për ekstradimin e ish-sulmuesit të Milanit Robinho, i cili është dënuar bashkë me mikun e tij më 19 Janarin e shkuar, me 9 vite heqje lirie.
Braziliani u shpall fajtor për dhunë seksuale në grup ndaj një 23-vjeçareje shqiptare, me të cilën abuzoi në një lokal në Milano natën e 22 Janarit të 2013-ës.
Prokuroria e Milanos në muajt e shkuar kishte nxjerrë një mandat ndkrkombëtar arrestimi për ish-futbollistin, me qëllim ekstradimin e tij në Itali.
Robinho dhe miku i tij Ricardo Falco ndodhen në Brazil.
Sipas agjencisë “ANSA”, midis autoriteteve italiane dhe atyre braziliane ka pasur kontakte me qëllim arrestimin 38-vjeçarit dhe mikut të tij e sjelljen e tyre në Itali.
Robinho ka qenë pjesë e kuqezinjve në vitet 2010-2014.
Ish-futbollisti u shpall fajtor se i ka dhënë të pijë të dëmtuarës deri sa ajo ka humbur vetëdijen e më pas kanë abuzuar në grup.
Në lidhje me çështjen, klubi i Santosit ku Robinho luante vendosi që ta pezullonte kontratën me të.
Gjasat janë që të dy të dënuarit të mos t’i dorëzohen drejtësisë italiane, pasi kushtetuta braziliane nuk lejon ekstradimin e shtetasve të vet.