5 mijë Euro gjobë edhe për qytetarët që përdorin karta pirate
Italia i ka shpallur luftë të ashpër piraterisë së programeve sportive, duke forcuar ligjin kundër këtij fenomeni. Senati e miratoi me 140 vota pro dhe asnjë kundër ashpërsimin e masave për luftën kundër piraterisë në patformat dixhitale apo ato online.
Lega Serie A, që lufton prej kohësh kundër piraterisë, kjo është një fitore e rëndësishme, pasi me këtë ligj do të jetë më e lehtë të mbyllen transmetimet pirate dhe mbi të gjitha të luftohet krimi i organizuar, i cili duke shfrytëzuar në mënyre të paligjshme të drejtat televizive, pasurohet duke shkaktuar një dëm prej disa dhjetëra miliona Eurosh sistemit të futbollit.
Presidenti i Serie A, Lorenzo Casini tha se ligji i miratuar unanimisht nga Parlamenti ishte një masë themelore për të mbrojtur të drejtat e autorit dhe për të bllokuar programet pirate në kohën e duhur.
Grupi DAZN, që ka të drejta televizive sportive në 30 vende të Europës, e quajti miratimin e ligjit si shënimin e një etape të rëndësishme në luftën kundër një formë krimi të dëmshme dhe të rrezikshme edhe për vetë klientët dhe tifozët.
Forcimi i ligjit konsiderohet si një hap vendimtar për të luftuar një fenomen që dëmton industrinë krijuese dhe sportive, duke shkatërruar mijëra vende pune dhe duke nxitur krimin e organizuar.
Me këtë ligj, Italia bëhet një model për Evropën në luftën kundër një murtajeje sociale, ekonomike dhe kulturore.
Ligji u jep të drejtën autoriteteve t’i mbyllin programet dhe faqet online që transmetojnë aktivitete pirate sportive brenda 30 minutash.
Përveç kësaj, ai parashikon 5 mijë Euro gjobë për të gjithë ata që shohin programe me karta apo faqe pirate, nga 1 mijë Euro që ishte më parë.
Tv Klan