Islandë, ulet niveli i rrezikut nga vullkani

Inxhinierët po përdorin metoda moderne si dhe dronë për të vlerësuar situatën në zonë

Inxhinierët në Islandë përdorën dronë për të vëzhguar vendin ku shpërtheu vullkani në Islandën jugperëndimore pasi niveli i tij i kërcënimit është ulur. Një ekip konsulentësh inxhinerikë me anë të dronëve morën imazhe për të vlerësuar situatën në zonë.

Automjetet shihen duke lëvizur pranë uzinës gjeotermale Svartsengi mes barrierave që vullkani i fuqishëm la pas shpërthimi.

Jon Haukur Steingrimsson: Është gjithashtu një çështje vetëm për të analizuar situatën dhe për të marrë një pamje të mirë, dua të them se sa sipërfaqe mbulon llava. Të gjitha këto të dhëna që ne prodhojmë këtu bëhen për mbrojtjen civile dhe shpërndahen me njerëzit në universitet dhe zyrën e MET OFFICE, ku kemi sigurisht të gjithë shkencëtarët që po analizojnë gjithashtu të gjitha të dhënat e grumbulluara. Ne po përpiqemi të mbledhim sa më shumë informacion që mundemi.

Shpërthimi në Islandën Jugperëndimore pasoi javë të tëra aktiviteti sizmik që çoi në një evakuim të plotë të qytetit të Grindavik me 4,000 banorë. Autoritetet islandeze shpallën gjendjen e jashtëzakonshme në nëntor pasi qindra tërmete të vogla tronditën gadishullin Reykjanes, rajoni më i populluar i vendit ishull.

Autoriteti i Mbrojtjes Civile uli nivelin e kërcënimit nga vullkani nga “emergjenca” në “rrezik” pasi nuk kishte aktivitet të dukshëm në vullkan. Zyra meteorologjike e Islandës paralajmëroi se shanset për një shpërthim në rajonin rreth sistemit vullkanik Svartsengi, ku magma vazhdon të grumbullohet, po rriten çdo ditë

Jon Haukur Steingrimsson: Gjithashtu ajo që dëgjojmë është se toka përreth Svartsengi, termocentrali dhe rrethina ka filluar të fryhet përsëri. Pra ka sërish një fluks të vazhdueshëm të llavës dhe duhet të jemi të përgatitur për një ngjarje tjetër si kjo në, nuk e di, ndoshta disa javë ose muaj, por është mjaft e qartë se ngritja e presionit ka filluar përsëri.

Për inxhinierët që janë duke vëzhguar zonën problem mbetet termocentrali që ndodhet pranë vendit të vullkanit.

Jon Haukur Steingrimsson: Çështja kryesore këtu është mbrojtja e termocentralit, sepse termocentrali është kaq jetik për infrastrukturën. Ne jemi këtu në barrierën kryesore që rrethon termocentralin dhe Lagunën Blu, e cila është këtu në anën tonë. Siç mund ta shihni, ne kemi lënë një boshllëk të vogël në barrierë sepse duhet të përshtatemi me ndërtesat në Laguna Blu. Pengesa është pak a shumë  8 metra mbi fushat e vjetra të lavës , por disa vende deri në 13 metra lartësi. Laguna Blu është një lloj nënprodukti i termocentralit. Pra, padyshim që ne duhet t’i rrethojmë të dy në rast rreziku.

Wouter, një turist nga Holanda, i cili vizitojë Islandën shprehet se ai nxitoi për të parë sapo dëgjoi për shpërthimin nga vendndodhja e tij, në veri të qytetit të peshkimit të Grindavik, i cili u evakuua muajin e kaluar. Ai tha se kjo ishte një përvojë “një herë në jetë”.

“Ishte e mahnitshme. Ishte pak larg nga këtu, por mund të shikoja pak lavë që ngrihet lart. Unë jam nga Holanda dhe ne nuk kemi gjëra të tilla në Holandë, kështu që përvoja ishte fantastike”.

Megjithatë shkencëtarët thonë se nuk ka asnjë kërcënim aktual që llava të arrijë në qytetin e Grindavik, Lagunën Blu ose strukturat kyçe siç është termocentrali aty pranë. Grindavik është padyshim i vendosur në një fushë llave, dhe në fakt është një fushë llave që vjen pjesërisht nga ky sistem krateri këtu që ishte aktiv. Çarja që u krijua është rreth 4 km e gjatë.

Zyra Meteorologjike Islandeze vlerësoi se qindra metra kub llavë në sekondë që dolën jashtë në dy orët e para të shpërthimit. Por inxhinierët që janë vendosur rreth kësaj drone për inspektim përdorin jo vetëm dronët, por edhe metoda të tjera më moderne.

Throstur Thor Bragason: Unë mendoj se ajo që mund t’u japë shkencëtarëve dhe autoriteteve civile është një ide se cilat zona ka të ngjarë të fillojnë të rrjedhin nga brenda. Të dhënat nga fotogrametrisë që marrim nga kjo është më e saktë se sa imazhet satelitore.

Vendpushimi gjeotermik “Laguna Blu” është një nga atraksionet turistike më të njohura të Islandës, u desh të mbyllej përkohësisht si masë paraprake pas një tërmeti me magnitudë 4.8 ballë që goditi zonën muajin e kaluar.

Vullkani Fagradalsfjall nuk ka qenë aktiv për rreth 6,000 vjet, por aktiviteti u rindez në mars 2021 , kur qindra njerëz u dyndën në Gadishullin Reykjanes për të parë rrjedhat spektakolare të lavës që zgjatën për muaj të tërë. Shkëlqimi i kuq nga llava mund të shihej nga periferia e kryeqytetit.

Islanda përballet mesatarisht me një shpërthim vullkanik në katër deri në pesë vjet.  Më shqetësuesi në kohët e fundit ishte shpërthimi vullkanik në vitin 2010, i cili ngriti shtëllunga të dendura tymi dhe hiri në atmosferë, duke ndalur fluturimet në Evropë për ditë të tëra për shkak të frikës se hiri mund të dëmtonte motorët e avionëve.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share