Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj ka komentuar përmes një lidhjeje Skype për Klan News, situatën në veri të Kosovës.
Fillimisht ai u ndal te deklaratat e kryeministrit Edi Rama për veriun e Kosovës. Sipas Hoxhajt, Rama po bën përpjekje në të mirë të Kosovës, dhe theksoi se duhet të ketë më shumë koordinim Prishtinë-Tiranë.
“Jam mëse i bindur që përderisa ne që jemi në opozitë dhe kolegët që janë në qeveri arrijmë të kemi një gjuhë të përbashkët që të ballafaqohemi me Serbinë, do kisha dëshirë që të gjitha subjektet politike në Tiranë mos ta përdorin Kosovën si një platformë e cila polarizon më shumë jetën politike, të ketë ballafaqim kritik natyrisht, por jo çdo intervistë apo deklaratë duhet të shndërrohet në një lloj paranoje apo traume. Mënyra si e kam parë unë kryeministrin Rama është që nuk është askush nga Kosova apo Shqipëria i cili ka lëvizur më shumë kohët e fundit, nëse kam parasysh axhendën e tij të takimeve, qoftë në Itali, qoftë në Berlin apo Kroaci e sot në Spanjë. Të gjitha këto tregojnë realisht që Rama dhe Shqipëria si shtet anëtar i NATO-s bën përpjekje për Kosovën. Kështu e shoh rolin dhe kontributin e tij, duke përfshirë dhe rolin e zotit Hoxha si ambasador i Shqipërisë në KS. Duhet të ketë më shumë koordinim, Prishtinë-Tiranë, por edhe koordinim të brendshëm të gjithë atyre që janë aktivë në politikë.”
Ish-ministri thotë se opozita në Kosovë është pro forcave ushtarake të KFOR në pikat kufitare të vendit, por jo me rol menaxhues.
“Mendoj se shtetet anëtare mund të kërkojnë që për shkaqe sigurie të rritet prania e ushtarëve të KFOR-it në veri të vendit, mirëpo ne si Kosovë mendojmë se ata duhet të vendosen në kufirin Kosovë-Serbi. Do duhej t’i shërbejnë idesë për të ruajtur kufirin dhe nuk duhet të jenë brenda për brenda territorit të Kosovës, por mënyra se si ndodh planifikimi ushtarak, shpërndarja e ushtarëve është më shumë çështje që i takon komandantit të KFOR-it i cili duket të jetë turk dhe së shpejti do marrë mandatin e tij në Kosovë. Unë kërkesën e zotit Rama ekam kuptuar si një kërkesë në shërbim të paqes dhe sigurisë rajonale dhe qëllimi jonë politik si opozitë, ne kemi kërkuar që këta ushtarë të vendosen në pikat kufitare, por jo të kenë rolin e menaxhimit. Përgjegjës i parë për sigurinë është Policia e Kosovës, përgjegjës i dytë është Eulex-i dhe përgjegjës i tretë është KFOR-i si mision i NATO-s, kjo është situata reale.”
Deklaratën e sotme të Osmanit për sanksione ndaj Serbisë, ai e cilësoi të drejtë, megjithatë thotë Hoxhaj kërkesa e parë duhet të ishte ajo e ekstradimit të Radojiçiç dhe agresorëve të tjerë në Kosovë.
“Zonja Osmani do duhet të kërkonte që Serbia fillimisht të dorëzonte Milan Radojiçiç dhe personat e bandës terroriste. Kjo duhet të jetë kërkesa e parë, dorëzimi i të gjithë atyre që kanë bërë krim në Kosovë, ekstradim i tyre duhet të ndodhë sa më shpejt, veçanërisht nëse kanë lindur në Kosovë.
Ndaj përfaqësuesve më të lartë të Brukselit shpreh zhgënjim, pas sulmit të 24 Shtatorit në Banjskë.
“Është e habitshme si Borrel dhe Lajçak janë fshehur në këto dy javët e fundit, nuk i shohim të marrin qëndrim për atë që ndodhi më 24 Shtator në veri të Kosovës, u takon atyre që të iniciojnë procedurën e nisjes së sanksioneve në raport me Serbinë dhe nuk duhet të ketë debat nëse duhet të pyeten shtetet anëtare. Nëse një shtet sillet kështu, mendoj që është koha e fundit që BE të marrë vendim dhe të vendosë sanksione nëse do që ne ta marrim seriozisht si partner kredibil. Deri më tani, jemi mjerisht shumë të zhgënjyer me mënyrën se si Brukseli ka reaguar.”/tvklan.al