Nga protesta e opozitës ku është shfaqur nëpërmjet një monitori, ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se ai është halli më i madh i Kryeministrit Edi Rama. Kryedemokrati Berisha ka shtuar gjatë fjalës së tij se ai nuk po lufton për fëmijët e tij biologjikë, por për pluralizimin politik.
Sali Berisha: Prandaj PD sot ka fituar sepse sot kur shqiptarët na shohin bashkë, pas gjithë brutalitetit që na është bërë, kur shqiptarët na shohin bashkë pas konflikteve tona të brendshme, kur shqiptarët na shohin bashkë kaq shumë në numër, besimi rikthehet në çdo shtëpi, në çdo lagje, në çdo rrugë, në çdo fshat, në çdo qytet. Por më e rëndësishmja, besimi rikthehet në zemrat e çdo shqiptari, në zemrat e atyre 83 përqind të shqiptarëve që gjer sot shikonin si mundësi largimin nga Shqipëria. Besimi u kthehet atyre shqiptarëve që nuk shtyjnë dot muajin, që nuk mbushin dot shportat me ushqimet më jetike, atyre shqiptarëve që nuk sigurojnë dot ilaçet e tyre, atyre që shohin fëmijët t’u rriten në mjediset më të këqija, që shohin antivlerat që kanë zëvendësuar traditat tona, që shohin shqiptarin e sotëm të ushqehet më veset më të këqija të qenies njerëzore. Ju sot u bëtë shqiptarëve dhuratën më të çmuar, dhuratën e besimit, dhuratën e shpresës.
Por më e rëndësishmja, dhuratën e fitores, sepse PD dhe opozita sot është e pandalshme, është gati dhe në këmbë. Me këtë besim që ngjallëm sot, ne ndryshuam rrugën e fatit. Ne sot kemi rrugën e fitores. Rruga e fatit të Shqipërisë, nga sot ndryshoi. Nga rruga e shpopullimit, Shqipëria është sot në rrugën e shpëtimit. Kjo është forca e besimit. Me këtë forcë u rrëzua shtatorja e diktatorit. Me këtë forcë rrëzohen shtatoret e tyre të gjalla. Me këtë forcë rezistohet çdo sulm. Me këtë forcë fitohet në çdo zgjedhje. Miq, përfitoj nga atmosfera elektrizuese për t’i kujtuar çdo shqiptari se pse ne jemi në këtë shesh, pse ne po luftojmë? Për këtë duhet t’u them se pas këtij uragani lemeritës dhe të frikshëm për aleancën e qelbësirave, megafonët e tyre do të ushtojnë në të katër anët, të dezinformojnë, të shpifin, të shprehen se ju po luftoni për hallet e Sali Berishës. Kur në fakt edhe njeriu me naiv e kupton se të ashtuquajturat halle të Berishës, janë vetëm sulme politike ndaj meje dhe ndaj jush.
Cilat halle ka Berisha? Ato halle që u shfaqën 10 vite pas ishte pa asnjë pushtet? Ato halle që unë denoncova projektet e serbomadhisë dhe rusomadhisë në rajon? Ato halle që unë denoncova çdo ditë vjedhjet më të mëdha të Edi Ramës? Ato fakte që unë denoncova lidhjet e tmerrshme të pushtetit me krimin. Ato fakte që nisën çuditërisht që unë kundërshtova bashkëqeverisjen e PD me aleancën e qeblësirave, me Rilindjen. Jo miq, Sali Berisha nuk ka halle. Por Sali Berisha është halli më i madh i Edi Ramës dhe miqve të tij, Vuciç, Xhorxh dhe Aleksit Soros dhe mafies ndërkombëtare. Prandaj dhe jam sulmuar politikisht. Sepse sot unë luftoj njëlloj si ju për opozitën e vërtetë, për dinjitetin e shqiptarëve. Luftoj kundër korrupsionit dhe për interesin kombëtar. Nesër do ju thonë se po luftoni për fëmijët e Berishës, kur në fakt njeriu më naiv e kupton se familja ime është goditur pikërisht se unë zgjodha të luftoj për shqiptarët. Dhe harrojnë mjeranët, se fëmijët e Sali Berishës janë fëmijët e shqiptarit. Ç’është e vërteta miq, Sali Berisha po lufton për një nga fëmijët e tij, por kësaj radhe jo për fëmijët biologjikë. Sot Sali Berisha po lufton për fëmijën e tij, fëmijën që së bashku e sollëm në jetë 33 vite më parë, pluralizmin politik.
/tvklan.al