Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, do të dalë sot para Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë pas arrestimit të tij ditën e shtunë për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”. Para gjykatës do të dalë edhe Alma Kaçi, e cila aktualisht qëndron në arrest shtëpie.
Gazetarja Glidona Daci raportoi se gjyqtarja Etleva Deda në orën 13:00 do të dëgjojë argumentet e të gjitha palëve, prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës. Sipas gazetares, avokati mbrojtës i Gjicit ka deklaruar se ish-kryebashkiaku i Kukësit nuk ka kryer veprën penale të korrupsionit, pasi për projektin në fjalë është diskutuar, por nuk është miratuar.
“Duhet theksuar se të paktën në komunikimin që kemi pasur me avokatin e Safet Gjicit ka bërë me dije se sipas tij nuk ekziston vepra penale e korrupsionit pasiv. Nuk ka elementë të kësaj vepre penale që janë kryer nga Gjici dhe gjithashtu nisur nga vetë fakti se vepra penale e korrupsionit pasiv sipas tij nuk është kryer nga zoti Gjici pasi projekti nuk është dërguar në Bashkinë e Kukësit, është diskutuar për një projekt, por nuk është dërguar dhe nuk ka kaluar për miratim në Këshillin Bashkiak pasi ky projekt do duhej që vendimin përfundimtar ta merrte Këshilli Bashkiak. Për këtë arsye pretendohet nga avokati i tij se nuk jemi përballë kryerjes së kësaj vepre penale. Një tjetër argument që pritet të relatojë mbrojtja sot do të jenë edhe problemet shëndetësore që ka ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, i cili prej 48 orësh ndodhet në bllokun e sigurisë në rrugën “Mine Peza” ndërkohë që sot do të përballet me gjykatën”, raportoi Daci.
Sipas gazetares, SPAK po kryen hetime të tjera për të mësuar nëse ka persona të tjerë që kanë shtyrë vajzën të kryejë regjistrimin.
“Prokuroria e Posaçme po kryen hetime të tjera sa i përket personave që kanë shtyrë vajzën të kryejë regjistrimin apo për të mësuar motivin pse është bërë ky regjistrim dhe kush janë personat e tjerë në rast se ka që mund të kenë realizuar gjithë këtë skemë për të bërë të mundur regjistrimin e ish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici”, raportoi Daci.
Safet Gjici dhe Alma Kaci
Prokuroria po heton edhe deklarimet e Safet Gjicit, i cili në një reagim publik ka deklaruar se është shantazhuar. Ndërkohë sipas gazetares Daci, 40-vjeçarja ka patur deklarime kontradiktore.
Të dyja palët pretendojnë për një lidhje intime mes tyre, por Kaçi nuk ka shpjeguar pjesën më të rëndësishme në këtë histori se cila është arsyeja e regjistrimit të videos.
Ndërkohë Prokuroria e Posaçme ka marrë të gjithë pajisjen që është bërë regjistrimi.
“Ajo pretendon se kamerën e ka pasur në çantën e saj aty ku kishte dokumentacionin për projektin. Ajo që duhet të sqarohet nga hetimi i SPAK është se kush është motivi dhe cilët janë personat që fshihen pas kësaj video”, raportoi Daci.
Hetimet për Safet Gjicin nisën disa ditë më parë pas publikimit në rrjetet sociale të një video me përmbajtje erotike, ku ish-kryebashkiaku kryente marrëdhënie intime me shtetasen Alma Kaçi.
Pas aktit seksual, ata diskutojnë në zyrë për një projekt që do të financohej nga Bashkia për izolimin e qenve endacakë në Kukës. Menjëherë më pas, Gjici thërret në zyrë një nga vartësinë e tij që të merret me dokumentacionin që do dorëzojë Alma Kaçi.
Të gjitha këto veprime të kryera në harkun kohor të pak minutave, sipas SPAK kanë ngritur dyshimet se ish-kryebashkiaku dhe gruaja në video kanë konsumuar veprën penale të korrupsionit./tvklan.al