Një person i armatosur ka qëlluar dhe plagosur për vdekje ish-deputeten nacionaliste të parlamentit ukrainas, Irina Farion, e njohur për fushatat e saj të zjarrta në mbrojtje të gjuhës ukrainase. Ngjarja ndodhi në një rrugë në qytetin e Lviv, ku 60-vjeçarja u qëllua në kokë.
Policia ka nisur kërkimet për autorin e dyshuar, ndërsa rasti është klasifikuar si “tentativë vrasje”, sipas ministrit të Brendshëm Ihor Klimenko. Farion u dërgua menjëherë në spital, por nuk i mbijetoi plagëve të marra dhe ndërroi jetë disa orë pas sulmit.
Lajmi u konfirmua nga guvernatori i Lvivit, Maksim Kozhitsky, dhe kryetari i bashkisë, Andriy Sandovy. Presidenti Volodymyr Zelensky reagoi duke dënuar aktin e dhunës dhe duke premtuar ndjekje të rreptë të hetimeve për arrestimin e agresorit.
Irina Farion, e cila iu bashkua partisë nacionaliste Svoboda në 2005 dhe u zgjodh në parlament në 2012, ishte një figurë e njohur për promovimin e gjuhës ukrainase dhe për qëndrimet e saj të ashpra ndaj rusishtfolësve. Në vitin 2018, ajo bëri thirrje për goditjen e rusishtfolësve gjatë konfliktit me separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore.