Në një deklaratë të fuqishme, misioni i Iranit në Nju Jork ka paralajmëruar se “të gjitha frontet e rezistencës”, një grup i Iranit dhe i aleatëve të tij rajonalë, do t’i kundërpërgjigjen Izraelit nëse ai sulmon Libanin.
Kjo situatë vjen pas rritjes së frikës për një lufte rajonale, ku do të përfshihej Izraeli dhe lëvizja libaneze, Hezbollah, që mbështetet nga Irani. Të dyja palët janë përfshirë në shkëmbime zjarri në baza ditore që kur ka nisur lufta në Gaza më 7 tetor 2024.
Irani ka përgëzuar sulmin e Hamasit në jug tl Izraelit, por ka mohuar se është përfshirë në të. Përveç sulmeve të Hezbollahut në veri të Izraelit, rebelët në Jemen, që mbështeten nga Irani, kanë sulmuar anijet në Detin e Kuq, në shenjë solidariteti me palestinezët.
Republika Islamike nuk njeh Izraelin që nga revolucioni i vitit 1979. Në prill, u rrit frika për një luftë rajonale pas një sulmi ajror në Konsullatën iraniane në Damask, që la të vrarë shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike.
Irani u kundërpërgjigj duke lëshuar drejt Izraelit dronë dhe raketa. Mediat iraniane raportuan shpërthime në provincën iraniane, Isfahan, ndërsa zyrtarët amerikanë citohen të kenë thënë se Izraeli kishte kryer sulm hakmarrës ndaj armikut të tij të përbetuar, Iranit. Teherani minimizoi sulmin e dyshuar izraelit.