Në shënjestër u vu një seli e spiunëve izraelite, SHBA: Sulmet minojnë stabilitetin e Irakut
Mes tensioneve të vazhdueshme se konflikti mund të përhapet edhe më shumë në Lindjen e Mesme, Irani sulmoi me raketa atë që pretendoi se ishte seli e spiunëve izraelitë afër Konsullatës amerikane në Irbil të Irakut, dhe shënjestroi edhe zona ku strehohen grupi militant, Shteti Islamik, në veri të Sirisë.
Katër civilë u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën pas sulmit. Garda Revolucionare Islamike e Iranit tha përmes një deklarate se goditi selinë e shërbimit të inteligjencës së Izraelit, Mossad, në rajonin kurd të Irakut. Kryeministri kurd i Irakut Masrour Barzani akuzoi Iranin për vrasjen e civilëve të pafajshëm në sulmet e tij me raketa në kryeqytetin e rajonit gjysmë autonom të Kurdistanit. “SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet me raketa në Irbil”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mattheë Miller të cilat sipas tij minojnë stabilitetin e Irakut.
Që nga shpërthimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit, milicitë e mbështetura nga Irani në Irak kanë kryer sulme me dronë drejt bazave në Irak dhe Siri ku gjenden të stacionuar trupat amerikane. Këto sulme, sipas milicive, po kryen në shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes që Uashingtoni i jep Izraelit dhe në përpjekje që të detyrojnë trupat amerikane të largohen nga rajoni.
Pas goditjes me raketë ndaj një anije në pronësi të Shteteve të Bashkuara lëvizja Houthi ka deklaruar se do të zgjerojë objektivat e saj për të përfshirë anijet amerikane. Mes të tjerash grupi rebel ka deklaruar se ende është duke kërkuar përfundimin e luftës në Gaza dhe dërgimin e ndihmave humanitare në veri dhe jug të Rripit të Gazës, ndërsa kanë theksuar se dëshirojnë përshkallëzim në Detin e Kuq dhe Arabik.
Në Gaza situata vijon të mbetet e rëndë. 12 fëmijë palestinezë mbetën të vrarë në Rafah nga bombardimet izraelite. Kriza humanitare ka kapluar vendin, ndërsa komunikimi vijon të jetë i ndërprerë në shumë zona.
Nga Davosi, kryeministri i Katarit kërkoi që të ndalen luftimet si në Gaza po ashtu edhe sulmet e ndërsjellta mes Houthi dhe SHBA-së, pasi kjo ato do të precipitonin në një konflikt edhe më të përgjakshëm në fronte të tjera. Ai tha gjithashtu se kërkesa për një zgjidhje me dy shtete është çelësi për stabilitetin e ardhshëm në Izrael dhe territoret palestineze dhe shtoi se palestinezët duhet të jenë ata që do të vendosin nëse lëvizja Hamas që drejton Gaza do të vazhdojë të luajë një rol politik në të ardhmen.
Klan News