Irani rrezikon Kupën e Botës 2022

Pas Rusisë dhe Bjellorusisë, një tjetër kombëtare mund të përjashtohet nga FIFA. Bëhet fjalë për Iranin, përfaqësuese që tashmë ka siguruar kualifikimin në Botërorin e Katarit 2022. Ndaj kësaj kombëtareje ka mbërritur një letër ankese në dyert e organit qeverisës së futbollit botëror nga klubi ukrainas i Shakhtar Donetsk. Gjiganti i futbollit vendas është ankuar në FIFA për shkak së Irani po kontribuon dhe mbështet Rusinë në luftën e saj në Ukrainë. Drejtori menaxhues i klubit ukrainas, Sergei Palkin ka paraqitur kërkesën në FIFA, teksa propozon se vendin e saj në Katar 2022 ta zë Ukraina.

“Ukraina duhet të marrë pjesë në Kupën e Botës. Irani nuk e meriton pjesëmarrjen. Teksa udhëheqësit iranianë do të kënaqen duke parë ekipin e tyre kombëtar në Kupën e Botës, ukrainasit do të vriten nga dronët dhe raketat iraniane. Gati 250 prej këtyre raketave kanë sulmuar tashmë qytetet tona, duke shkatërruar shtëpi, muze, universitete, zyra, fusha sportive dhe më e rëndësishmja, ata vranë ukrainas, përfshirë fëmijë. Fëmijë që ëndërronin të shihnin kombëtaren e tyre në Kupën e Botës. Të mos përsërisim gabimet e Botërorit 2018 në Rusi, duke u fshehur pas tezës boshe të natyrës apolitike të sportit. Pjesëmarrja e kombëtares terroriste në Kupën e Botës është një çështje politike”, thuhet mes rreshtave në letrën e Shakhtar dërguar FIFA-s.

Kupa e Botës në Katar është parashikuar të mbahet nga 20 nëntori deri më 19 dhjetor./tvklan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share