Irani dënon sulmet ajrore të SHBA-së

16 persona humbën jetën dhe 25 u plagosën nga sulmet e Uashingtonit në Irak dhe Siri

Në qytetin al-Ka’im, rreth 350 km në veriperëndim të Bagdadit, gjithçka që ka mbetur pas sulmeve ajrore të Uashingtonit është vetëm shkatërrim.

Banorët në qytetin iraken thonë se zona e banimit përdorej edhe nga grupe të armatosura për të ruajtur sasi të mëdha armësh. Militantët ishin larguar nga zona dhe ishin fshehur pas sulmeve në Jordani ku mbetën të vrarë tre ushtarë amerikanë dhe u plagosën 40 të tjerë.

“I bëjmë thirrje organeve zyrtare që t’i japin fund kësaj ekzistence ushtarake brenda komplekseve të banimit. Këtë e kemi kërkuar më shumë se një herë në rrugë zyrtare dhe e kemi çuar në nivelet më të larta për t’i dhënë fund kësaj ekzistence, sepse shkakton dëme dhe lëndime te qytetarët”.

Pas vrasjes së tre ushtarëve amerikanë, SHBA nisi një seri sulmesh hakmarrëse, duke goditur 85 objektiva të lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit dhe milicitë që ajo mbështet në Irak dhe Siri.

Nga këto sulme humbën jetën 16  persona dhe  u plagosën 25 të tjerë. Në një deklaratë, qeveria irakene dënoi sulmet  e Uashingtonit. Ato gjithashtu u dënuan edhe nga ministri i Brendshëm iranian Ahmad Vahidi i cili u shpreh se Uashingtoni duhet “të veprojë me mençuri” ndërsa Siria akuzoi SHBA-në për ndezjen e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Për këtë çështje reagoi edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Belgjikës Hadja Lahbib në Bruksel e cila bëri thirrje për vetëpërmbajtje.

“Kemi dëgjuar se  ka patur sulme ajrore hakmarrëse nga Shtetet e Bashkuara që shënjestrojnë objektivat e Iranit në Irak dhe Siri. Është një shqetësim i madh dhe prandaj kërkojmë përmbajtje ,dialog dhe diplomaci. Është e vetmja mënyrë për të qetësuar situatën në Lindjen e Mesme.”

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share