IPP Arbën Xhaferi: Kovaçevski dhe partia e tij shpenzojnë mbi 750 euro në ditë në reklama facebook

Rroga mesatare 615 euro; Kryeministri Kovaçevski dhe partia e tij shpenzojnë mbi 750 euro në ditë në reklama facebook

Instituti për Politika Publike Arbën Xhaferi ka analizuar shpenzimet e politikanëve dhe partive politike në reklama Facebook në tremujorin e fundit (shtator-nëntor 2023).

Nga kjo analizë rezulton se kryeministri Kovaçevski dhe partia e tij janë kampionë të padiskutueshëm të reklamimit në Facebook, me mbi 68,000 euro të shpenzuara në tremujorin e fundit, apo mbi 750 euro në ditë. Paga mesatare mujore në Maqedoninë e Veriut në të njëjtën periudhë ka qënë 615 euro.

Kryeministri në tre muajt e fundit ka shpenzuar 20,336 euro për 381 reklama, apo mesatarisht 4 reklama dhe 225 euro të shpenzuara çdo ditë. Vlen të theksohet se partia e tij, SDSM, poashtu ka shpenzuar 10,423 euro në tremujorin e fundit, që i bie 116 euro në ditë.

Shpenzuesi dytë ndër politikanët është Bojan Mariçiq me 2,583 euro dhe 69 reklama në tremujorin e fundit. Shpenzues tjetër i madh është Jorgo Ognenovski, kryetari i partisë Demokratët, i cili ka publikuar 116 reklama në vlerë prej 1,854 euro.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristjian Mickoski është më i arsyeshëm me vetëm 806 euro të shpenzuara në 8 reklama.

Të vetmit politikanë nga partitë shqiptare që figurojnë në listën e shpenzuesve të mëdhënj janë Fatmir Mexhiti me 678 euro, Afrim Gashi me 456 euro, Bujar Osmani me 225 euro, Bilall Kasami me 165 euro dhe Krenar Lloga me 145 euro të shpenzuara në reklamime Facebook në tremujorin e fundit.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share