IPP “Arbën Xhaferi”: Katërfishim I importeve nga Rusia në regjim sanksionesh

Sot bëhen gjashtë muaj që kur qeveria e Maqedonisë së Veriut ka filluar të zbatojë për herë të pare sanksionet evropiane ndaj Rusisë.

Me këtë rast, Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi” ka analizuar të dhënat më të reja të Entit Shtetëror të Statistikave për vëllimin e përgjithshëm të tregtisë së jashtme në periudhën janar-qershor 2022 përcjell KlanM.

Ndërsa vlera e përgjithshme e eksporteve drejt Rusisë mbetet thuajse konstante me rreth 25.5 milionë euro, ajo që bie në sy, është se vlera e importeve nga Rusia është 186.7 milionë euro, apo një rritje prej 405.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Duke komunetuar këto të dhëna, Drejtori ekzuktiv i Institutit për Politika Publike Arbën Xhaferi, Arben Fetai, tha se “është zhgënjyese për Maqedoninë e Veriut si vend anëtar i Natos dhe që pret të hapë negociata për anëtarësim në BE, që Rusia të jetë ndër 10 vendet e para për importet tona. Katërfishimi i importeve ruse është shumë problematik pasi që ai ndodh në kohën kur vazhdon agresion rus ndaj Ukrainës dhe kur vendi ynë zbaton për herë të parë sanksionet evropiane ndaj Rusisë.”

Fetai shtoi se “pjesa më e madhe apo 75% e këtyre importeve përbëhet nga gazi, çmimi i së cilit është rritur ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, është e pafalshme varshmëria thuajse totale e Maqedonisë së Veriut nga gazi rus. Kjo tregon për një politikë të gabuar të sigurisë energjetike por edhe për një rreshtim të gabuar në nivelin gjeostrategjik nga qeveritë suksesive në Maqedoninë e Veriut. Duke marrë parasysh pozitën strategjike të Maqedonisë së Veriut, vendi do duhej të kishte ndërtuar që moti interkonektorin me Greqinë, gjë që do të kishte mundësuar furnizim më të lirë dhe më të sigurt si për Maqdoninë e Veriut, ashtu edhe për Kosovën dhe Shqipërinë.”

Në periudhën janar-qershor 2022, sipas vëllimit total të tregtisë së jashtme, partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonia e Veriut ishin Gjermania, Britania e Madhe, Greqia, Serbia dhe Bullgaria. Rusia radhitet si partneri i njëmbëdhjetë tregtar i Maqedonisë së Veriut dhe është dukshëm vendi me të cilin Maqedonia ka shënuar rritjen më të madhe të vëllimit tregtar gjatë vitit të fundit, me një trefishim krahasuar me vitin paraprak përcjell KlanM.

Sipas një studimi të Agjencisë së BE-së për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë (ACER), Maqedonia e Veriut është vendi më i varur nga gazi rus në Evropë./KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share