Apple do të ndryshojë modelin e karikuesit të iPhone, duke kaluar në USB-C. Kompania amerikane nuk ka njoftuar ende zyrtarisht, por zv/presidenti i marketingut të Apple konfirmoi këtë fakt në një intervistë për “The Wall Street Journal”.
Apple do të duhet t’i përshtatet direktivës së Bashkimit Europian, që të gjitha pajisjet elektronike në Europë duhet të kenë modelin e karikuesit USB-C. Kjo bëhet për të shmangur mbajtjen e shumë karikuesve për pajisje të ndryshme, por mjafton vetëm një për të gjitha llojet e pajisjeve elektronike, sidomos telefonave inteligjentë, tablet etj.
“Natyrisht që do të duhet të përshtatemi, nuk kemi zgjidhje”, tha zv/presidenti i marketingut të Apple, Joswiak, kur u pyet për rregullat e reja të BE-së. Edhe Brazili ka kërkuar që pajisjet elektronike të kenë të njëjtin model karikuesi, USB-C.
Apple ka rezistuar prej kohësh, por tani që BE ka vendosur të zbatojë ligjin nga viti 2024, kompania amerikane do të duhet t’i përshtatet këtij ndryshimi për të shitur produktet e veta në BE. /tvklan.al