Interesimi i qytetarëve për të investuar në kriptovaluta vazhdon të jetë i madh në Kosovë. Mirëpo, njohës të fushës thonë se numër i madh i tyre po bien pre e platformave mashtruese.
Ekspertë të teknologjisë së kriptovalutave presin që Kuvendi të miratojë sa më shpejt ligjin që do ta rregullonte këtë veprimtari, në mënyrë që të luftohet shpëlarja e parave.
Milot Mehmeti ka pothuajse një dekadë qe merret me kriptovaluta. Gjatë vitit 2014 ai kishte nisur të informohej më shumë rreth tyre, e pastaj edhe kishte nisur investimin.
Që nga atëherë, përfitime nga to ka gjatë gjithë kohës.
Megjithatë, investimi në asetet më të rrezikshme në botë, mund të rezultojë me humbje të mëdha për shumë kë.
Kjo pasi Mehmeti thotë se shumë qytetarë po bien pre e mashtrimeve nga platforma të ndryshme të cilat po u premtojnë fitime.
E për ta rregulluar tregtimin dhe posedimin e kriptovalutave në Kosovë, Komisioni për Ekonomi ka miratuar të enjten draft-ligjin që do t’i përcaktojë kornizat e kësaj veprimtarie.
Njohësit e kibernetikës presin që përmes ligjit të parandalohen mashtrimet e shpëlarja e parave.
Kriptovaluta është para digjitale e cila përdoret për shërbime të zakonshme dhe blerje të mallrave.