Investime nëpër shkolla – Vrapçisht: Krizë me numrin e nxënësve!

Sot në fshatin Vrapçisht, kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, ka përuruar sallën e re të sportit, një projekt që synon të përmirësojë kushtet e nxënësve dhe të ofrojë më shumë mundësi për të rinjtë e komunës.

Gjatë ceremonisë, kryetari Shabani e vlerësoi këtë projekt si një hap të rëndësishëm për komunitetin, duke theksuar rëndësinë e investimeve në infrastrukturën sportive dhe edukative.Megjithatë, gjatë intervistës me gazetarët, kryetari Shabani preku një çështje shqetësuese për komunën dhe më gjerë – rënia e vazhdueshme e numrit të nxënësve në shkollat e zonës.

Ai bëri të ditur se trendi i largimit të të rinjve dhe familjeve drejt emigrimit po vazhdon të ndikojë negativisht në popullsinë e kësaj komune, duke çuar në mbylljen e disa institucioneve arsimore.Shkolla fillore në fshatin Llomnicë është tashmë e mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve, ndërsa në fshatrat Gjurgjevisht dhe Kalisht, klasat e para po funksionojnë me numra njëshifrorë të fëmijëve,deklaroi kryetari.

“Është një problematikë që ka shqetësuar të gjithë shtetin dhe jo vetëm komunën e Vrapçishtit. Kjo situatë është më e theksuar në viset malore të territorit tonë. Megjithatë, në fshatrat e tjera kemi arritur të ruajmë numrin e nxënësve këtë vit. Konkretisht, shkolla e Vrapçishtit numëron 530 nxënës, një shifër e njëjtë me atë të vitit paraprak. Në territorin e komunës së Vrapçishtit, vetëm shkolla e fshatit Llomnicë ka mbyllur paralelen, ndërsa shkollat në Gjurgjevisht dhe Kalisht po funksionojnë me numra njëshifrorë të nxënësve në klasën e parë” tha Isen Shabani kryetar i Komunës së Vrapçishtit

Ai shtoi se ky është një tregues alarmant i situatës demografike në komunë dhe një reflektim i largimit të vazhdueshëm të të rinjve në kërkim të mundësive më të mira jashtë vendit.

“Rënia e numrit të nxënësve përbën një sfidë të madhe për shkollat dhe komunitetet e zonës, duke vënë në pikëpyetje funksionimin e mëtejshëm të disa institucioneve arsimore. Megjithatë, kryetari Shabani nënvizoi se, pavarësisht këtyre sfidave, komuna do të vazhdojë të investojë në infrastrukturë dhe të përpiqet të ofrojë kushte më të mira për ata që mbeten”, tha Shabani.

Në përmbyllje të deklaratës, Shabani u bëri thirrje institucioneve qendrore që të angazhohen më shumë në mbështetjen e komunave rurale për të ndaluar largimin masiv të të rinjve dhe për të krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e tyre në vendlindje. /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share