Interpelanca e “Frontit Europian”/ Toshkovski: Përpjekje e ulët për të manipuluar opinionin!

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot u ka Uruar fat deputetëve të “Frontit Evropian”, të cilët dje kanë dorëzuar interpelancë për punën e tij. Sipas Toshkovskit, interpelanca e dorëzuar nga “Fronti Evropian” është një përpjekje e ulët për të manipuluar opinionin.

I pyetur sot për një koment për interpelancën, ministri tha se kuvendi do të veprojë ashtu siç e sheh të arsyeshme.

“Tezat që janë hedhur në periudhën e kaluar nga opozita, veçanërisht nga BDI, janë vërtet kontradiktore në vetvete. Besoj se qytetari dhe populli maqedonas e di shumë mirë se çfarë qëndron pas kësaj interpelance sa i përket kërkesës së tyre. Paçin fat, kuvendi do të veprojë në drejtim të asaj që mendon. Sinqerisht mendoj se kjo është një përpjekje e ulët për të manipuluar opinionin”, tha Toshkovski.

Përveç ministrit Toshkovski, Interpelanca “Fronti Evropian” ka dorëzuar dje edhe për zëvendësin e tij Astrit Iseni, si dhe për zëvendëskryeministrat Izet Mexhiti dhe Ivan Stoilkoviq.

Në sqarimin e dhënë dje nga koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Blerim Bexheti për interpelancën e dorëzuar për ministrin e Punëve të Brendshme Toshkovski dhe zëvendësin e tij Iseni, ai tha se në ditën e festës së flamurit shqiptar, ata si persona përgjegjës, urdhëruan policinë për të ndërhyrë në mënyrë të paprecedentë dhe të pajustifikuar, duke parandaluar një manifestim paqësor dhe tradicional të shqiptarëve. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share