Intensifikohen sulmet e përgjakshme në jug të Gazës

Një natë e përgjakshme për palestinezët jo vetëm në jug, por edhe në pjesët qendrore dhe veriore. Katër shtëpi në lagjen al-Janina dhe një kamp i vogël refugjatësh u shkatërruan plotësisht në Rafah. Të paktën 35 persona u raportuan të vrarë dhe shumë të tjerë u plagosën rëndë. Sulmet më të rënda ndodhën këtu në qendër të Khan Younis, ku u godit një qendër tregtare. Qendra ndodhet në një zonë që supozohej të ishte e sigurt dhe ku qindra njerëz kanë kërkuar strehim në dy ditët e fundit që nga përfundimi i armëpushimit.

Në anën lindore të Khan Younis, ushtria izraelite ka filluar të përparojë me tanke dhe automjete të blinduara. Ushtria izraelite vuri në shënjestër qendrat komanduese të Hamasit, vendet ku ruhen armët dhe forcat detare, ndërsa njoftoi se vrau komandantin e Hamasit, Haitham Khuvajari.

Izraeli sërish u ka bërë thirrje banorëve në Gaza për t’u evakuuar, por zyrtarët e OKB-së dhe njerëzit në Gaza thonë se është e vështirë që këto urdhra të zbatohen duke pasur parasysh se në Rripin e Gazës tanimë nuk ka asnjë vend të sigurt. Më shumë se 800 njerëz janë vrarë që nga e shtuna, ndërsa mbi 15,523 vetë janë vrarë, sipas ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, në gati dy muaj luftë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes përsëriti të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten, por theksoi se ka një përgjegjësi morale për të mbrojtur civilët. Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Türk kërkoi t’i jepet fund luftës, duke thënë se vuajtja që po përjetojnë civilët është shumë e madhe për t’u përballuar. Shpresat për një armëpushim tjetër të përkohshëm në Gaza janë zbehur pasi Izraeli i thirri negociatorët dhe zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan tha se bisedimet për lirimin e më shumë pengjeve duhet të lidhen me një armëpushim të përhershëm. Kryeministri Benjamin Netanyahu sërish ka deklaruar se lufta do të vazhdojë derisa të arrihen të gjitha qëllimet.

Situata po vijon të përshkallëzohet edhe në Bregun Perëndimor. Një bastisje izraelite pranë spitalit Kamal Adëan në Jabalia në Bregun e pushtuar Perëndimor vrau të paktën katër persona. Ushtria izraelite vendosi 30 automjete të blinduara në Jenin, duke arrestuar disa persona, ndërsa bombardoi gjithashtu edhe disa shtëpi.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share