Një sulm në portin më të madh tregtar të Rusisë, Ust-Luga në rajonin e Leningradit, ishte vepër e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SSU).
Dronët e SSU-së me rreze të gjatë udhëtuan mbi 900 kilometra, duke fluturuar pothuajse deri në Shën Petersburg dhe goditën me sukses objektivin.
Një video e postuar në mediat sociale ruse, tregon një nga dronët duke goditur disa rezervuarë të gazit, transmeton Telegrafi.
Si rezultat i sulmit, një cisternë gazi u dëmtua rëndë dhe tre kontejnerë aty pranë u prekën nga shpërthimi.
Ekspertët thonë se riparimet do të zgjasin të paktën një muaj, në varësi të disponueshmërisë së materialeve dhe patjetër do të çojnë në ndërprerje në funksionimin e terminalit.
Terminali Ust-Luga është një qendër e rëndësishme logjistike ruse në Detin Baltik, përmes së cilës Rusia shet naftë dhe gaz duke përdorur flotën e saj. /Telegrafi/