Ministri i Mbrojtjes: Beogradi është neutral dhe qëllimi është që të destabilizojë vendin
Ndër dokumentet e publikuara nga inteligjenca amerikane tregojnë se Serbia, i vetmi vend në Evropë që ka refuzuar të sanksionojë Rusinë ka armatosur Ukrainën. Ndërkaq ministri serb i Mbrojtjes Milosh Vuçeviç mohoi informacionet e përhapura të agjencisë britanike Reuters se Serbia i ka shitur ose synon t’i shesë armë Ukrainës.
Serbia, i vetmi vend në Evropë që ka refuzuar të sanksionojë Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë, duket se ka furnizuar me armë Kievin në mënyrë të fshehtë. Ky lajm ka dalë nga zbulimi i dokumentave te klasifikuara te Pentagonit cituar nga agjensia e lajmeve Reuters.
Dokumenti, një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake dhe armë, ishte midis dhjetëra dokumenteve të klasifikuara të postuara në internet javët e fundit në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e sekreteve amerikane në vite.
I titulluar “Evropa, Përgjigja ndaj konfliktit të vazhdueshëm Rusi-Ukrainë”, dokumenti në formën e grafikut rendit “pozicionet e vlerësuara” të 38 qeverive evropiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake. Grafiku tregoi se Serbia refuzoi të ofronte trajnime për forcat ukrainase, por ishte zotuar të dërgonte armë. Ndër të tjera thuhet se Serbia kishte vullnetin politik dhe aftësinë ushtarake për t’i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.
Dokumenti është shënuar me titullin Top Sekret duke ndaluar shpërndarjen e tij për shërbimet e huaja të inteligjencës dhe ushtritë. Ajo mban datën 2 mars dhe është e stampuar me vulën e zyrës së Shefit të Shtabit të Përbashkët.
“Nëse ky dokument është i saktë, ai ose tregon dyfytyrësinë e Vuçiqit ndaj Rusisë ose ai është nën presion të madh nga Uashingtoni për të dorëzuar armë në Ukrainë,” tha Janusz Bugajski, një ekspert i Evropës Lindore me Fondacionin Jamestoën.
Ndërkaq ministri serb i Mbrojtjes Milosh Vuçeviç mohoi informacionet e përhapura të agjencisë britanike Reuters se Serbia i ka shitur ose synon t’i shesë armë Ukrainës, duke theksuar se:
“Serbia nuk i ka shitur dhe as nuk do t’i shesë armë palës ukrainase apo ruse. as shteteve që e rrethojnë këtë konflikt. Qëllimi i dikujt mund te jete që të destabilizojë Serbinë dhe ta tërheqë atë në një konflikt por ne nuk do të marrim pjesë ne te. Ne i qëndrojmë politikës së paangazhimit”, tha Milosh Vuçeviç.
Vuçeviç përmendi faktin se Serbia u shet armë palëve të treta, të cilat janë larg konfliktit ne Ukraine dhe nuk kanë lidhje me të. Zbulimi vjen pak më shumë se një muaj pasi dokumentet e postuara në një kanal pro-rus në aplikacionin global të mesazheve Telegram treguan dërgesën nga një prodhues serb i raketave Grad 122 mm tokë-tokë në Kiev në nëntor të vitit të kaluar. Prodhuesi i armëve Krusik Corp mohoi se i ka ofruar raketa ose armë të tjera Ukrainës në atë kohë dhe Vuçiq i cilësoi akuzat një gënjeshtër famëkeqe. Në dokumentet e klasifikuara ndër të tjera zbulohet gjithashtu se SHBA kishte shprehur frikën e saj se Ukraina mund të dështonte në kundërsulmimin e pranverës. Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se mbrojtja ajrore e Ukrainës do të reduktohet plotësisht deri më 23 maj, duke sugjeruar se Rusia së shpejti mund të ketë epërsi ajrore dhe Ukraina mund të humbasë aftësinë për të grumbulluar forcat tokësore në një kundërsulm.
Përgatiti: Livia Kallfa