Lukashenko deklaron se Rusia dhe Bjellorusia janë të përgatitura për paqe, por Ukraina nuk dëshiron të negociojë
Luftimet në Ukrainë janë ngadalësuar dhe me shumë gjasa kështu do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm të dimrit. Kështu të paktën besojnë agjencitë e inteligjencës amerikane të cilat megjithatë nuk presin një zbehje të rezistencës nga ana e forcave ukrainase.
Drejtoresha e inteligjencës amerikane, Avril Haines thotë se të dyja ushtritë po tentojnë të rifurnizohen dhe ristrukturohen për t’u përgatitur për një kundërsulm në pranverë.
Për inteligjencën amerikane, presidenti rus Vladimir Putin, nuk ka një pasqyrë të plotë se sa është duke u sfiduar aktualisht ushtria e tij në këtë fazë. Ky vlerësim i inteligjencës amerikane vjen pas sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike në Ukrainë.
Lufta tashmë është në muajin e nëntë, por Rusia ka humbur mbi gjysmën e tokës që pushtoi. Po ashtu numri i viktimave që nga fillimi i luftës mbetet i lartë.
Sipas zyrtarëve ukrainas, 10,000 dhe 13,000 ushtarë ukrainas kanë humbur jetën, shifra të cilat vlerësohen se janë më të ulëta se ato që japin udhëheqësit perëndimorë.
Ndërsa sa i përket një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund luftës, presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, deklaron se Rusia dhe Bjellorusia janë të përgatitura për paqe, por Ukraina duket se nuk dëshiron të negociojë.
Në fillim të kësaj jave, presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se ishte i përgatitur të fliste me Vladimir Putin nëse udhëheqësi rus ishte i interesuar t’i jepte fund luftës.
Por këto pak shpresa u shuan shpejt kur Kremlini u shpreh qartë se Perëndimi, si fillim, duhet të njohë aneksimin e deklaruar nga Moska të katër rajoneve të Ukrainës.
Klan News