Institucionet e BE-së “nuk janë në dijeni” për propozimin franko-gjerman

nstitucionet e Bashkimit Evropian nuk janë në dijeni për propozimin që Franca dhe Gjermania u kanë ofruar Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte i pari që njoftoi më 8 tetor se Parisi dhe Berlini kanë propozuar që shteti i tij të lejojë që Kosova të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në BE.

Se ky propozim ekziston është konfirmuar edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por ai ka thënë se “nuk ka diçka përfundimtare që do të thuhet se ky është propozimi franko-gjerman”.

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha se nëse ekziston një propozim i tillë, atëherë BE-ja edhe “ndoshta mund të kontribuojë” në të.

“Siç e ka shpjeguar presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, ai e ka pranuar këtë propozim nga Franca dhe Gjermania, prandaj mendoj se për këtë çështje është më mirë të flasin Berlini dhe Parisi. Ne nuk jemi në dijeni të një propozimi të tillë. Natyrisht, nëse ka një propozim të tillë, ne do të ishim më se të interesuar për ta shikuar. Jo, vetëm për ta shikuar, por ndoshta ne do të mund edhe të kontribuonim”, tha Varhelyi gjatë një konference për media pas publikimeve të raporteve të progresit për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Njohësit e çështjeve politike në Prishtinë dhe Beograd, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se një propozim i tillë Kurtit dhe Vuçiqit u ka arritur përmes këshilltarëve për dialogun Kosovë-Serbi, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Megjithatë, ambasadat e Gjermanisë dhe Francës në Kosovë nuk kanë konfirmuar se shtetet e tyre përkatëse kanë një nismë apo dokument-propozim që do të mund të ishte një kornizë e re e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 dhe ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Së fundmi, Franca dhe Gjermania kanë shtuar përpjekjet për të shtyrë Prishtinën dhe Beogradin drejt arritjes së një marrëveshjeje. Macron dhe Scholz përmes një letre dërguar Kurtit dhe Vuçiqit më 4 shtator, u kërkuan që të jenë të gatshëm për vendime të vështira në dialog.

Kosova dhe Serbia kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të dialogut. Përderisa Kosova kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, por pa specifikuar se për çfarë zgjidhje bëhet fjalë./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share