Sipas një studimi, 98% e brezit që përdor rrjete sociale ndikohet nga fotot e kuruara në Instagram për të zgjedhur destinacionin e udhëtimit të radhës. Por disa foto tregojnë se sa i gënjeshtërt mund të jetë portretizimi i këtyre vendeve përrallore, të ngulitura në disa imazhe të përsosura.
Taj Mahal, Big Ben, Santorini apo Teatri i Operës në Sidnei duket se janë përfaqësuesit më tipikë të këtij artificialiteti pasi në të vërtetë janë të tejmbushur me turistë. Krah fotove të këtyre vendeve magjepsëse ndodhet realiteti që i shoqëron.
Taj Mahal
Vendi më i zakonshëm për ta fotografuar këtë ndërtesë është nga platforma e ngritur brenda kompleksit. Por nëse doni të fotografoni diçka ndryshe, shkoni përgjatë lumit Yamuna (pas Taj Mahal) dhe kërkoni një pikë të mirë nga e cila mund ta zmadhoni imazhin tuaj.
Big Ben dhe Pallati Uestminster
Momenti më i bukur i ditës për ta fotografuar është ajo që quhet “ora e artë”. Do ju duhet agim ose muzg ndaj zgjohuni herët ose flini vonë. Pas perëndimit të diellit, shihni muzgun sepse është vërtet magjik. 20 minuta pasi dielli ka rrëshqitur në horizont, keni momentin e përsosur për shkrepjen tuaj sepse drita e natyrës shkrihet me qytetin dhe peizazhin urban.
Teatri i Operës në Sidnei
Koha më e përshtatshme për ta fotografuar është 1-2 orë pas agimit ose pak përpara se të perëndojë dielli. Vendi më i mirë është jashtë Muzeut të Artit Kontemporan sepse nga aty do të fotografoni ndërtesën dhe evitoni rrëmujën e krijuar nga njerëzit.
Kulla Eiffel
Këtu do ju duhet të rregulloni ekspozimin e dritës (Exposure) për të theksuar siluetën e kullës. Duke qenë se ajo ka shumë detaje të imta, mund të fokusoheni edhe në fotografimin e tyre.
Santorini
Duke qenë se përgjatë gjithë vitit turistët dynden për të parë kupolat blu dhe peizazhin mahnitës, është disi e vështirë të fotografosh. Edhe në momentet më të qeta, duhet të prisni derisa të tjerët të mbarojnë me fotografitë e tyre ndaj durimi është arma më e mirë që do të keni. Kur të jetë radha juaj, nuk është nevoja të shpenzoni shumë kohë, mjafton të shkrepni foto të shumta nga kënde të ndryshme që të keni opsione zgjedhjeje.
/tvklan.al