Kompania mëmë e “Facebook” dhe “Instagram” është akuzuar se ka mashtruar publikun në lidhje me rreziqet e përdorimit të mediave sociale dhe kontribuimin e një krize të shëndetit mendor tek të rinjtë. Padia federale u bë nga dhjetra shtete amerikane.
Në padi thuhet se kompania ka përdorur veçori të varësisë për të hedhur në grackë përdoruesit duke fshehur rreziqet thelbësore të platformave të saj dhe se ka thyer ligjet për mbrojtjen e konsumatorëve nëpërmjet mashtrimit.
“Kompanitë e mediave sociale, përfshirë “Meta”, kanë kontribuar në një krizë kombëtare të shëndetit mendor të të rinjve dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi,” tha Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James, një nga 33 prokurorët e përgjithshëm që nënshkruan padinë.
Në padi thuhet se kompania mblodhi të dhëna për fëmijët nën moshën 13 vjeç, duke shkelur detyrimet e saj sipas Ligjit për Mbrojtjen e Privatësisë në Internet të Fëmijëve.
Pasi është njohur me padinë e dhjetra shteteve amerikane, zëdhënësi i kompanisë “Meta” ka deklaruar: Ne ndajmë angazhimin e prokurorëve të përgjithshëm për t’u ofruar adoleshentëve përvoja të sigurta dhe pozitive në internet dhe kemi prezantuar tashmë mbi 30 mjete për të mbështetur adoleshentët dhe familjet e tyre. Ne jemi të zhgënjyer që në vend që të punojmë në mënyrë produktive me kompani në të gjithë industrinë për të krijuar standarde të qarta, të përshtatshme për moshën për shumë aplikacione që përdorin adoleshentët, prokurorët e përgjithshëm kanë zgjedhur këtë rrugë.
“Meta” dhe kompanitë e tjera të mediave sociale, tashmë përballen me qindra padi në SHBA të ngritura nga familje, të rinj dhe rrethe shkollore për ndikimin në shëndetin mendor./tvklan.al