Ky ekip do të inspektojë dëmet në central pas bombardimeve
Një ekip nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) u nis drejt termocentralit bërthamor të Zaporizhia për të inspektuar dëmet pas bombardimeve aty pranë, që ngjalli frikën për një fatkeqësi bërthamore.
Kreu i kësaj agjencie, Rafael Grossi, tha se shpreson që agjencia të krijojë një mision të përhershëm në Ukrainë për të monitoruar centralin e Zaporizhias, që është më i madhi në Europë.
“Këto operacione janë shumë komplekse. Ne po shkojmë në zonë lufte. Ne po shkojmë në një territor të pushtuar. Kjo kërkon garanci eksplicite jo vetëm nga rusët, por edhe nga Republika e Ukrainës”, tha Grossi në Kiev para se të nisej ekipi drejt Zaporizhjas.
Ai tha gjithashtu se inspektorët do të bisedonin me personelin në centralin bërthamor, i cili pavarësisht nga kontrolli rus po drejtohet nga inxhinierë ukrainas.
Gjatë takimit me Grossin më herët, Zelensky po ashtu tha se ka një rrezik të madh të një katastrofe bërthamore për shkak të veprimeve ruse pranë këtij centrali. Ukraina akuzoi të martën Rusinë për bombardimin e një korridori që zyrtarët e IAEA-s do t’u duhej të përdornin për të arritur në termocentral në një përpjekje për t’i detyruar ata të udhëtojnë përmes Krimesë së aneksuar nga Rusia.
Klan News