Inflacioni në SHBA bie në nivelin më të ulët që nga muaji janar

Norma e inflacionit në SHBA pati një ulje në muajin tetor, duke shkaktuar një rritje në tregun e aksioneve në Wall Street, ndërkohë që u shtuan pritshmëritë lidhur me faktin se Rezerva Federale do të rrisë normat e interesit muajin e ardhshëm me një normë më të ulët krahasuar me takimet e fundit.

Rritja vjetore e çmimeve të konsumit u ngadalësua në 7.7 për qind, më pak se shifra 8 për qind që pritej nga ekonomistët, duke arritur kështu nivelin më të ulët që nga muaji janar. Masa “bazë” e inflacionit, e cila nuk përfshin çmimet e paqëndrueshme të ushqimeve dhe të energjisë, duke u konsideruar kështu si treguesi më i mirë për trajektoren e ardhshme të inflacionit, pati një lehtësim pasi kishte arritur nivelin më të lartë të katër dekadave të fundit.

Indeksi S&P 500 pati një rritje me më shumë se 5 për qind pas publikimit të këtyre të dhënave. Yield-i bonove dyvjeçare të Thesarit, i cili është tepër i ndjeshëm ndaj pritshmërive për normat e interesit, ra me 0.3 pikë përqindjeje duke shkuar në 4.33 për qind.

Këto shifra më të ulëta se pritshmëritë lehtësojnë presionin ndaj Fed për të vazhduar me politikën e saj të rritjes agresive të normave të interesit, në mënyrë që të luftojë inflacionin e lartë.

“Fakti që Fed mund të ngadalësojë rritjet e normave pas këtyre shifrave do të thotë se tani mund të bëjmë një diskutim jo vetëm për të pasur më mirë një recesion sesa inflacion të lartë, por një bisedë për ta shmangur mundësisht tërësisht recesionin,” tha Jim Paulsen, shefi i strategjisë së investimeve në firmën kërkimore The Leuthold Group.

Investitorët në tregun e kontratave të së ardhmes shtuan pritshmëritë se Fed do të rrisë normat e interesit me 0.5 pikë përqindjeje në dhjetor, pasi i ka rritur ato me 0.75 pikë përqindjeje në katër takimet e saj të fundit.

“Shpresonim se do të shihnim tejkalimin e kulmit të presioneve inflacioniste dhe raporti i sotëm na dha prova se kjo ka ndodhur,” tha Joe Davis, kryeekonomist global në Vanguard.

Shifrat e tetorit treguan se çmimet e automjeteve të përdorura, kostot e kujdesit mjekësor dhe çmimet e biletave të linjave ajrore ishin të gjitha në rënie, megjithëse qiratë e banesave u rritën. Komponenti i indeksit të çmimeve të konsumit që shërben si indikator për kostot e banesave u rrit me 6.9 për qind krahasuar me një vit më parë dhe kontribuoi në gjysmën e rritjes së përgjithshme të inflacionit mujor në tetor.

Të dhënat e inflacionit, të publikuara nga Byroja e Statistikave të Punës, pasuan zgjedhjet afatmesme në SHBA, të cilat treguan një rezultat të ngushtë mes demokratëve dhe republikanëve, ku beteja për sigurimin e shumicës në Kongres ende vazhdon./ FT

Lexo gjithashtu
Total
0
Share