Inflacioni në Britani arrin nivelin më të lartë në 41 vjet

Kancelari i financave do të paraqesë një plan për buxhetin që do të ulë inflacionin duke mbrojtur më të cënuarit

Rritja e faturave të energjisë dhe çmimeve të ushqimeve kanë çuar inflacionin në Britaninë e Madhe në nivelin më të lartë në 41 vjet.

Inflacioni ka arritur në 11.1%, shifër e paregjistruar që nga Tetori 1981. Kjo është gjithashtu një rritje e madhe nga 10.1% që ishte në Shtator. Sipas ekonomistëve Bankës së Anglisë do t’i duhet të rrisë më tej normat e interesit për të ulur inflacionin në objektivin e saj prej 2 për qind.

Rritja e lartë e çmimeve në tetor paraqet një sfidë të vështirë për ministrin e financave Jeremy Hunt i cili do të miratojë të enjten një paketë të re për buxhetin që parashikon gjithashtu edhe rritjen e taksave. Inflacioni do të ishte rritur në rreth 13.8% në tetor nëse qeveria nuk do të kishte ndërhyrë për të kufizuar çmimin e faturave të energjisë shtëpiake në 2,500 Paund mesatarisht në vit.

Sipas të dhënave të qeverisë çmimet e gazit janë rritur gati 130 % ndërsa energjia elektrike është rritur me rreth 66%. Hunt fajësoi luftën e Rusisë në Ukrainë për thellimin e krizës së kostos së jetesës, por ka bërë të ditur se do të marrë vendime të vështira për të ndihmuar në uljen e inflacionit.

Prodhimi ekonomik u tkurr me 0.2% në tremujorin e tretë, më pak se tkurrja prej 0.5% që kishin parashikuar analistët, treguan të dhënat zyrtare. Hunt është zotuar se do të gjendet gjithashtu një zgjidhje për infermierët, punonjësit të sektorit publik të gjitha familjeve dhe bizneseve të përballojnë krizën.

Sipas ekspertëve ekonomia e Britanisë është e vetmja ekonomi e G7 që ende nuk është rikuperuar plotësisht nga pandemia.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share