Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka nisur ditën e sotme me një postim në rrjetet sociale në lidhje me incidentet e së premtes në veri të Kosovës. Kurti shprehet se objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit të Kushtetutës. Kreu i qeverisë së Kosovës shprehet i vetëdijshëm për shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë, por thekson se çdo opsion tjetër do ishte mospërmbushje e detyrimeve kushtetuese të qeverisë ndaj kryetarëve të rinj të zgjedhur në veri. Për pasojë sipas tij, kjo do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarët.
“Pas betimit të tyre të enjten, dje, tre kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në veri të Kosovës, e kanë pasur ditën e parë të punës. Shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës prandaj edhe nuk është marrë dje e nuk do të merret asnjë ditë tjetër.
Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”, shkruan Kurti.
Kryeministri i Kosovës i bën thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre serbë, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre. Një falenderim e ka edhe për policinë, që sipas tij, mbajtën një qëndrim profesional, shtetëror de në mbrojtje të sundimit të ligjit. Kurti bën me dije se rrugët në veri janë të gjitha të hapura dhe të qarkullueshme për qytetarët.
“Andaj, si Kryeministër i të gjithë qytetarëve, ftoj të gjithë, veçanërisht qytetarët serbë të Kosovës, që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre, të cilat do të jenë multi-etnike, multi-kulturore, multi-gjuhësore dhe multi-partiake. Ata janë të zgjedhur dhe nuk janë kundër askujt, por në shërbim të të gjithëve. Dëshiroj të falenderoj pjesëtarët e Policisë së Republikës së Kosovës për qëndrimin e tyre profesional, shtetëror dhe në mbrojtje të sundimit të ligjit. Ata, siç dëshmojnë çdo ditë, e dëshmuan edhe dje, që janë të gatshëm për t’i shërbyer rendit, ligjit e Republikës si profesionistë, të patrembur e dinjitozë, në afirmimin e një ambienti multi-etnik të sigurisë, pavarësisht kushteve të rënda që shkaktuan grupet e menaxhuara nga struktura parapolitike në atë pjesë të vendit. Rendi dhe ligji, demokracia dhe lëvizja e lirë, siguria dhe paqja, mund dhe duhet të ecin krah për krah. Për këto angazhohemi çdo ditë dhe në përpikëri. Rrugët në veri janë që të gjitha të hapura e të qarkullueshme për qytetarët. Komunat dhe kryetarët duhet të punojnë shumë sepse kemi shumë punë për të bërë për qytetarët”, shkroi Kurti.
Kujtojmë që një ditë më parë në 3 komuna në veri pati përplasje me policinë pasi kryetarët e rinj u paraqitën në objektet komunale. Ky verim i tyre hasi në rezistencën e qytetarëve serbë duke shkaktuar tensione dhe përplasje me policinë. Në Zveçan u raportua edhe për të shtëna me armë zjarri. Policia njoftoi se si pasojë e akteve të dhunës mbetën të lënduar 5 efektivë.
Pas incidenteve ka pasur reagime të shumta nga ndërkombëtarët që kanë kërkuar që autoritetet të largohen menjëherë dhe të shtensionohet situata. Departamenti Amerikan i Shtetit dënoi veprimet e qeverisë së Kosovës, ndërsa në një deklaratë u tha se ato do të kenë pasoja në marrëdhënien dypalëshe SHBA-Kosovë./tvklan.al