Krijuesi i parfumeve dhe stilisti Paco Rabanne ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare.
Vdekja e tij u konfirmua nga Puig, kompania mëmë e markave të stilistit, e cila u shpreh se ai “ka shenjuar brezat me vizionin e tij radikal të modës dhe trashëgimisë që do të vijojë”, raporton “BBC”.
Në faqen zyrtare, ai përshkruhet si ‘”vizionar” dhe një ndër “figurat themeluese të modës së shekullit XX”.
Rabanne u bë i njohur për stilimet e tij revolucionare. Ato janë bërë objekt i komplimenteve dhe kundërshtimeve për shkak të materialeve të përdorura si metalet e mprehta apo plastika.
Në vitin 1968, Rabanne firmoi një kontratë të rëndësishme me Puig, të cilat ishin të fokusuara në modë dhe parfumeri. Kjo shënoi hyrjen e tij në industrinë e parfumeve, të cilat me kalimin e kohës do të lidheshin fort me emrin e tij.
Fragranca e parë e tij, “Calandre”, vijon të jetë ende në shitje ndërsa ndër më të preferuarat e konsumatorëve mbeten “Lady Million”, “1 Million” apo “Invictus”.
Rreth fundit të shekullit të kaluar, Rabanne tërhoqi vëmendjen edhe për deklaratat e tij të çuditshme. Ai parashikoi se stacioni hapësinor Mir do të shembej dhe do të rrëzohej drejt Tokës duke shkatërruar Parisin. Thoshte gjithashtu se kishte ardhur në këtë planet 78.000 vite më parë, kishte parë Zotin dhe ishte takuar me alienët.
Viti 1999 shënoi tërheqjen e tij nga moda dhe për 24 vitet në vazhdim shihej rrallë në publik./tvklan.al