Idrizovë: Nxënësit me çanta në protestë – kërkojnë të mësojnë në gjuhën shqipe

PRINDËRIT THONË QË KUSHTE KA, MUNGON VULLNETI I INSTITUCIONEVE

I morën çantat me veti jo për të shkuar në shkollë, por për të protestuar. Isra dhe Abdurahmani kanë mbaruar klasën e pestë por paralele për të vazhduar në klasë të gjashtë nuk ka në shkollën fillore “Njegosh” të Komunës së Gazi Babës.

“Unë jam klasa e gjashtë. Kemi humbur shumë prej mësimit”, tha një nxënëse.

“Këtu e kam afër shkollën, shpresoj të qelet”, tha një nxënës.

Prindërit dhe gjyshërit thonë që kushte për të hapur paraleja ka por vetëm mungon vullneti i institucioneve. Djali i Ganimatjes poashtu ka mbetur tre javë pa mësim. Ajo thotë që nuk ka mundësi që djalin ta dërgoj në shkollat e qytet.

 

“Bëjmë apel deri te Ministri deri te kryetari i Komunës le të vijë vet të sheh se sa klasa janë, edhe pse në ndrimin e dytë të gjitha klasat janë të zbrazura prap thonë që nuk ka kushte, por kushte ka. Kërkojmë një klasë të të fillojnë me mësim”, tha Ganimete Sejdiu, prind.

Në përkrahje të këtyre nxënësve dolën e gjyshërit e nxënësve të cilët thonë që atyre është mohuar e drejta për të mësuar në gjuhën amtare por së paku të mësojnë nipërit e mbesat e tyre në gjuhën e nënës së tyre.

“Mbesa jeme qe sa kohë nuk është në shkollë, për fëmijët është shumë keq. Mundësi ka kjo shkollë ekziston 60 vite dhe paralele ka vetëm prej klasës së parë deri të pestën”. 

“Ku ta dërgojmë këtë djal të vogël në shkollë deri në qytetet. Në mëngjes nuk na lënë që të mësojmë janë maqedonasit, por shkolla është e zbrazët ndrimi i dytë. Prej orës një shkolla është e lirë”, tha Bedri Ademi.

“20 vite kërkojmë, çdo vit kërkojmë por askush nuk po e mundëson hapjen. Gjysma e shkollës është e zbarzur dhe ka vend për nxënësit”. 

Para tre viteve Komuna e Gazi Babës refuzoi kërkesën për hapjen e paraleleve shqipe në këtë shkollë. Më pas mori vendim për ndërtimin e një shkolle të re në këtë fshat ku do të mësonin të gjithë fëmijët e fshatit, vendim i cili mbeti vetëm në letër. Ministri i tanishëm Jeton Shaqiri ka paralajmërur se shkollën do ta vizitoj të enjten për të parë se si mund të zgjidhet ky problem./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share