Ibrahimi dhe Arifi me akuza për Limanin/ “Ndëshkohen” banorët e Komunave ku VLEN humbi zgjedhjet!

Kryetari i Komunës së Haraçinës Ridvan Ibrahimi i shoqëruar nga ai i Likovës, Erkan Arifi, kanë kanë akuzuar Ministrin për Punë dhe Politikë Sociale, Fatmir Limani, se po i mban peng fëmijët e komunave të lartëpërmendura duke mos u dhënë leje për punësimin e kuadrit mësimor për dy çerdhet, të cilët miratimin për punësime e kanë marrë nga Ministria e Financave.

Sipas Ibraimit, Ministri pa legjitimitet, për inate personale po bllokon punësimet në cërdhet në këto dy komuna.

“Për ta konstatuar se ministri jo-legjitim Fatmir Limani ka vepruar në bazë të inateve dhe frustrimeve politike në të njëjtën procedurë identike kanë qenë edhe çerdhet në Komunën e Tetovës dhe Çairit, për të cilat janë lëshuar pëlqimet. Nuk ka asnjë dallim në situatat faktike. Ministri jo-legjitim, Fatmir Limani mban përgjegjësinë e plotë që sot, 230 fëmijë në komunat tona presin për tu sistemuar në çerdhe. Pyesim publikisht, a është motivi i vetëm i këtij personi, ndëshkimi i popullatës së këtyre dy komunave përshkak se ato nuk ja dhanë legjitimitetin për të vendosur për ato” – tha Ibrahimi.

Për ankesat e komunave, Klan Maqedoni dërgoi pyetje në adresën elektronike të ministrit, por përgjigje deri në momentin e transmetimit të këtij lajmi nuk kemi. Se Ministria e Financave ka dhënë leje për punësimin e kuadrit mësimorë sot e konfrimon edhe vet kryeministri Mickoski.

“Është problem trashëgues, i cili është tejkaluar dhe miratimet për punësim janë dhënë nga Ministria e Financave në Komunën e Haraçinës dhe në Komunën e Likovës, por më e rëndësishmja që është tejkaluar është problemi me dhënien e provimit, i cili ishte një problem aktu dhe ishte një problem në të cilin qindra kujdestarë, ekzaminues nuk mund të merrnin licencën e duhur për t’u punësuar. Me një vendim të qeverisë, me të cilin propozuam mënyrën e vjetër të dhënies së provimeve deri në fund të vitit 2025, u tejkalua edhe ky problem” – tha Mickoski.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Ridvan Ibrahimi dhe Erkan Arifi ankohen për pengesa dhe bllokim të proceseve nga Fatmir Limani, të njëjtën gjë krerët e komunave që vijnë nga BDI-ja e kanë thënë edhe më heret. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share