I njohur për “politikë të zjarrtë” anti-islame, Wilders fiton zgjedhjet në Holandë

Grupet myslimane shprehin shqetësime për fitoren e populistit të së djathtës ekstreme

Populisti holandez i së djathtës ekstreme dhe anti-BE, Geert Wilders, i cili është zotuar ta ndalojë emigrimin në Holandë, do të fillojë të kërkojë partnerë për të formuar një qeveri koalicioni pas një fitoreje  të madhe në zgjedhjet parlamentare.

Një dashamirës  i kryeministrit euroskeptik të Hungarisë, Viktor Orban, Wilders është zotuar të ndalojë emigracionin dhe të bllokojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian të çdo vendi në bllok përfshirë edhe Ukrainën. Duke mposhtur të gjitha parashikimet, Partia e tij e Lirisë fitoi 37 vende nga 150, më shumë se koalicioni rival mes laburistëve dhe të majtës.

Në një kafene në Hagë, mbështetësit  e Wilders shpërthyen në brohoritje, ndërsa vetë ai u shpreh i befasuar nga rezultati.

“Që fitorja do të ishte kaq e madhe, ishte gjithashtu befasuese për mua, por një rezultat shumë i këndshëm sigurisht. Jam shumë krenar, por në të njëjtën kohë kjo fitore vjen me shumë përgjegjësi. Njerëzit presin axhendën tonë, politikën më të ashpër të azilit dhe imigracionit, dhe që qytetarët  të marrin më shumë para për të paguar shërbimet e tyre.”

Wilders  është i njohur për politikën e tij të zjarrtë anti-islamike. Ai u dënua për diskriminim nga një gjykatës holandez pasi ofendoi marokenët në një tubim fushate në vitin 2014. Organizatat islamike dhe marokene shprehën shqetësime për fitoren e Wilders. Myslimanët përbëjnë rreth 5% të popullsisë.

Ai ka thënë se dëshiron ta udhëheqë vendin, por do të duhet të bashkëpunojë me partitë e tjera për të krijuar një koalicion shumice në parlament,një proces i cili zakonisht zgjat me muaj.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share