Dauti: E kemi të vetmin objekt që mund ta japim në shfrytëzim për të gjitha shoqatat
Organizata “Social Cultural Space” akuzoi komunën e Tetovës se ka ndërruar bravat e derës në ish objektin e Radio Tetovës pa e njoftuar këtë të fundit që ushtron aktivtitete në atë objekt.
“Sot u zgjuam dhe u përballuam me një tjetër akt tipik vandal. Të martën Komuna organizoi një ekspozitë te Hapësira dhe për këtë shkak “organizatorët” insistonin të kenë çelësin, kinse për menaxhimit të punimeve të artistëve. Tanimë duke i njohur nga përvoja, ne hezitonim që ta bëjmë këtë, për shumë shkaqe, siç janë siguria e pajisjeve brenda, por edhe ajo që ka ndodhur brenda nate apo sot herët në mëngjes. Për t’u shmangur këtij akti ne ishim të detyruar që të kërkojmë të nënshkruhet një dokument nga “organizatorët” e ekspozitës ku në besim u jepet çelësi dhe ata detyrohen ta kthejnë pas përfundimit (dokumenti i shtuar dhe i nënshkruar nga Elma Sherifi). Sot në mëngjes, vullnetarët u përballën me një tjetër akt tipik vandal dhe të dhunshëm, ku ashtu si kemi dyshuar është ndërruar brava e hyrjes”, deklaroi Nita Sejdiu nga “Space Tetova”
E nga Komuna e Tetovës thanë se bravat janë ndërruar pasi ai objekt duhet të shfrytëzohet nga të gjithë shoqatat dhe jo vetëm nga një dhe se kurdo që të duan mund të shfrytëzojnë hapësirat e ish objektit të Radio Tetovës por fillimisht duhet të kërkojnë leje për shfrytëzim nga komuna.
“Në Komunën e Tetovës ka kërkesa nga shoqata të ndryshme kulturore dhe rinore dhe ne si Komunë kemi të vetmin objekt ku mund ta shfrytëzojmë për aktivitet të këtyre shoqatave. Memorandumi i bashkëpunimit që është me shoqatën Space është vetëm bashkëpunim ndërmjet asaj organizate dhe Komunës së Tetovës, ku nuk potencohet në atë pikë të memorandumit që Komuna është e obliguar që të sigurojë ndonjë objekt. Në të ardhmen kur komuna të krijojë hapësira të reja, nuk do të thotë se nuk do t’i japë privilegj ndonjë shoqatë rinore, kulturore dhe të jetë e vendosur në ata hapësira. komuna e Tetovës është në borxhe dhe nuk mund të krijojë hapësira të reja dhe e kemi të vetmin objekt që mund t’jua japim në shfrytëzim të gjitha shoqatave”, thotë Nazmi Dauti nga Komuna e Tetovës.
Nga Space Tetova thanë se për rastin e ndërrimit e bravës së derës kanë informuar edhe policinë ndërsa nga grupacioni që siç thonë ata, prezantohen si administratorë komunal kërkojnë të largojnë pajisjet, gjë që “Social Cultural Space” nuk pranon./KlanMacedonia