I ftohti përkeqëson krizën në Gaza

Ndërprerja e fondeve për agjencinë e OKB-së për refugjatët për palestinëzët pritet të përkeqësojë urinë  

Jo vetëm bombardimet, por moti i ftohtë po e thellon edhe më shumë situatën e vështirë në Gaza.

Temperaturat e ulëta si dhe rreshjet e shiut kanë dëmtuar tendat ku jetojnë palestinezët e zhvendosur. Në mesin e atyre që ikën Khan Younis që tanimë është bërë epiqendra e sulmeve të përgjakshme është Reem abu Tair dhe tre fëmijët e saj. Frika e saj është se fëmijët e saj mund të vdesin nga i ftohti dhe uria.

“Ne jemi larguar dhe jemi zhvendosur për rreth 115 ditë. Çdo ditë marrim fletushka për t’u evakuuar po të shkojmë në një mot të tillë dhe me fëmijë të vegjël. Nëse një fëmijë nuk vdes nga bombardimi, ai do të vdesë nga i ftohti. Uroj që kjo thirrja jonë të arrijë në të gjithë botën, të na shikojnë sepse askush këtu nuk do të donte të jetonte.”

Njerëzit shihen në Khan Younis duke u zhvendosur pothuaj çdo ditë drejt strehimoreve të tjera edhe pse të mbingarkuara me njerëz të tjerë, teksa ushtria izraelite synon të shkatërrojë Hamasin.

“Unë shkova në strehimoret në Khan Younis, një nga shkollat, dhe qëndrova atje për 110 ditë. Ne vuajmë nga mungesa e ushqimit, ujit, transportit, karburantit dhe energjisë elektrike. Dhe tani nuk e di se çfarë do të ndodhë me ne. Unë kam një familje dhe fëmijë. Ne nuk kemi strehim, dhe është ftohtë dhe shi. Ne kërkojmë të arrijmë në Rafah por nuk ka asnjë mjet transporti të na çojë.”

Kriza humanitare është thelluar edhe më shumë teksa të paktën nëntë vende kanë ndërprerë fondet për agjencinë e OKB-së për refugjatët për palestinezët (UNRWA) pas pretendimeve nga Izraeli se 13,000 persona të stafit të saj në Gaza janë përfshirë në sulmin e 7 tetorit.

Palestinezët që jetojnë në kampet pranë Khan Younis, shprehen se ndalimi i financimit ishte një fatkeqësi.

“Situata në të cilën jetojmë tani ka mbështetje nga e gjithë bota, e gjithë bota është përgjegjëse për situatën në të cilën jetojmë tani, është bota ajo që shkurton ndihmën nga fëmijët dhe gratë, nuk po flasim vetëm për ushqimin, po flasim edhe për ndihmat ushqimore. Çfarë faji kemi ne si popull palestinez, na është pushtuar toka, na janë shkatërruar shtëpitë, kemi kaluar shumë luftëra dhe kjo është më e keqja. Ne nuk kemi asnjë shpresë.”

Philippe Lazzarini, komisioneri i përgjithshëm i UNRWA, gjithashtu u bëri thirrje vendeve që të rishqyrtojnë vendimet e tyre. Ekpertët kanë bërë thirrje se ky vendim do të përkeqësonte urinë. Shumë nga 13,000 anëtarët e stafit të saj janë vetë refugjatë dhe të paktën 150 janë vrarë që nga fillimi i konfliktit Izrael-Hamas.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share