Banorët mbijetojnë falë veshjeve të duhura për stinën e dimrit
I ftohti arktik ka përfshirë prej ditësh Rusinë, por në Siberi termometri shënoi këtë të martë temperaturën -58 gradë Celsius.
Yakutsk, një nga qytetet më të ftohta në botë, i cili shtrihet rreth 5,000 km në lindje të Moskës, është tërësisht i mbuluar nga bora dhe ngrica, siç edhe duket nga këto pamje me dron.
Në ndihmë banorëve, të mësuar me këtë të ftohtë, i vijnë rrobat e duhura, që i blejnë sipas temperaturës.
“Është shumë ftohtë. E ndjen në fytyrë, të ngrin menjëherë. Xhaketa ime është zakonisht e butë, por kur dal në këtë temperaturë, ajo bëhet si një qese plastike. Sa për celularin kur dola dje, kisha 90 përqind nivelin e karikimit. E mbajta në duar për rreth 15-20 minuta, bateria u mbarua.”
“Sigurisht që është ftohtë. Por siç thonë anglezët nuk ka stinë të keqe. Njeriu ka nevojë vetëm për rroba cilësore që i përshtaten motit dhe gjithçka do të jetë mirë.”
Në Oymyakon, një qytezë në Sakha një rajon i vogël në verilindje të Siberisë temperaturat shkuan në gati -60 gradë.
Në një treg të hapur, në qytetin Yakutsk, peshku e mishi është totalisht i ngrirë, i paketuar në kuti, shitet vetëm ashtu, pasi nuk ka nevojë për frigorifer.
Klan News