Venecia planifikon ta bëjë me pagesë hyrjen për vizitorët ditorë nga viti i ardhshëm, në përpjekje për ta menaxhuar numrin e madh të turistëve që tërhiqen nga kanalet e saj historike, njoftoi të martën këshilli i qytetit.
Pagesa për hyrje në Venecia do të jetë pesë euro për vizitorët ditorë.
Pagesa do të vlejë si eksperiment për 30 ditë vitin e ardhshëm, dhe do të aplikohet në ditët e pushimit dhe fundjavat e verës kur numri i turistëve e arrin kulmin.
Të gjithë vizitorët mbi moshën 14-vjeçare duhet të paguajnë hyrjen.
Ky nuk është vendim për të fituar para, shtoi ai, duke thënë se pagesa do ta mbulojë vetëm koston e administrimit të skemës.
Për datën e saktë të planit dhe se si do të udhëhiqet ai, do të vendoset pas aprovimit përfundimtar të këshillit, i cili pret të ndodhë javën e ardhshme.
Ky plan, për të cilin së pari u njoftua më 2019, u shty fillimisht për shkak të pandemisë së COVID-19, si pasojë e të cilës munguan turistët, e më vonë për shkak të arsyeve teknike dhe procedurale.
Vizitorët, ndërkohë, i janë kthyer bujshëm Venecias, me të huajt që janë duke e mbizotëruar popullatën vendore prej rreth 50 mijë banorëve, duke i stërmbushur rrugicat e saj të ngushta.
Turizmi i tepruar i ka shkaktuar shpesh telashe qytetit të brishtë lagunë.
Në korrik, ekspertët e UNESCO-s propozuan që Venecia dhe lagunat e saj të shtohen në listën e objekteve kulturore të rrezikuara, duke thënë se Italia nuk ka bërë mjaftueshëm për ta mbrojtur qytetin nga ndikimi i ndryshimit klimatik dhe turizmi i madh.