Ishin pa udhërrëfyes, u rrëzuan në greminë
Dy turiste të huaja, një belge dhe një franceze humbën jetën këtë të martë në vendin e quajtur Qafa e Valbonës në Tropojë. Ato ishin nisur për eksploruar zonën që lidh luginën e Valbonës me fshatin turistik të Thethit. Mësohet se vajzat e reja ishin nisur pa udhërrëfyes dhe duke mos e njohur zonën janë rrëzuar në një greminë.
Burime në vendin e ngjarjes thanë se fatale për to ishte edhe rënia e një orteku më pas. Policia tha se trupat e pajetë u gjetën pas disa orësh kërkime. Në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe skuadra alpine e FNSH-së së Shkodrës.
Për shkak të motit të keq me mjegull dhe borë ka qenë e pamundur ulja e helikopterit në zonën ku ndodhen trupat e turisteve. Operacioni për nxjerrjen e trupave është vështirësuar edhe për shkak të temperaturave mjaft të ulëta dhe terrenit të vështirë.
Në të njëjtin vend, në 10 maj të vitit të kaluar ka humbur jetën edhe një turist gjerman. Ndërsa një ditë më parë një turist holandez u rrëmbye nga ujërat e lumit në kanionin e Osumit dhe trupi i tij nuk është gjetur ende.
Tv Klan