Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara, ka reaguar pas humbjes në zgjedhjet e 14 Majit. Në një postim në rrjetet sociale ai shprehet falenderues ndaj atyre që morën pjesë në votime.
Megjithatë shprehet se rezultati u ndikua nga shumë faktorë. Sipas tij, ky fakt tregoi se vullneti i qytetarëve mund të kushtëzohet, kontrollohet dhe tjetërsohet.
“Mirënjohës ndaj çdo bashkëqytetari që më mbështeti përgjatë këtij rrugëtimi, duke më votëbesuar në këto zgjedhje!
Falenderues ndaj çdo demokrati, opozitari, mbështetësi, që u bënë pjesë e procesit të votimit dhe numërimit, duke tejkaluar vështirësitë dhe duke qenë aty, për t’i dhënë vlerë çdo vote!
Një rezultat i ndikuar nga shumë faktorë, i cili tregoi se vullneti i qytetarëve mund të kushtëzohet, të kontrollohet dhe të tjetërsohet, në emër të zhvillimit, për të përqendruar pushtetin në një dorë të vetme, që shpërdoron dhe grabit ditën për diell, pasuritë kombëtare dhe fondet publike.
Durrësi mbetet familja jonë e madhe, që na bën bashkë, ku unë do të vazhdoj, si çdo ditë, të shikoj miqtë, kolegët, qytetarët në sy, duke u shtrënguar duart, sepse lidhja me këtë qytet dhe ndershmëria, për mua mbeten zgjedhje pa kompromis”, shkruan Cara./tvklan.al