Policia ka identifikuar viktimat e shpërthimit vdekjeprurës të një makine në një pikë kufitare mes SHBA-së dhe Kanadasë. Kurt Villani dhe gruaja e tij Monica Villani, të dy 53-vjeçarë, mbetën të vdekur si pasojë e shpërthimit.
Guvernatorja e New Yorkut tha se nuk ka tregues se incidenti ka lidhje me terrorizmin. Nga ana tjetër, Kryeministri kanadez Justin Trudeau u shpreh se zyrtarët po e trajtojnë çështjen me seriozitet të lartë, ndërsa Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Biden po i ndiqte zhvillimet nga afër.
Shpërthimi ndodhi në anën amerikane të urës Rainbow, e cila lidh të dy vendet që ndahen nga lumi Niagara.
Duke folur për kanalin WGRZ-TV, dëshmitari Mike Guenther tha se pa një automjet që ecte me shpejtësi të lartë në drejtim të pikës kufitare amerikane. Ai tha se makina shmangu përplasjen me një automjet tjetër dhe u përplas me një gardh dhe shpërtheu.
“Papritur, makina fluturoi në ajër dhe më pas shpërthyen flakë rreth 10 metra të larta”, tha dëshmitari Guenther për kanalin televiziv lokal.
Është ende e paqartë se çfarë e shkaktoi që automjeti i çiftit të përshpejtohej me shpejtësi përpara se të fluturonte në ajër dhe të shpërthente në flakë./tvklan.al