Hoti: Serbia kthehet si partner kryesor tregtar i Kosovës në rajon

Ish-kryeministri, Avdullah Hoti ka thënë se importet rriten me 850 milionë euro dhe Serbia kthehet siç u shpreh ai, si partner kryesor tregtar i Kosovës në rajon.

Ai përmes një postimi në Facebook tha se thellimi i deficitit tregtar e vë në dyshim rritjen ekonomike, përcjell Klankosova.tv.

“Gjatë periudhës janar-tetor 2022, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021, janë importuar 850 milionë euro më shumë mallra nga jashtë. Për shkak se eksportet për këtë periudhë janë rritur vetëm me 154 milionë euro, deficiti tregtar është thelluar dhe ka arritur në -3.9 miliardë euro. Thellimi i deficitit tregtar e vë në dyshim rritjen ekonomike, të prodhimit vendor dhe të punësimit në Kosovë, siç po propagandohet nëpër konferenca ndërkombëtare”, thuhet në postimin e tuj.

Tutje, ai është shprehur se tregtia e lirë ka ekzistuar edhe në vitet, siç tha ai “kur këta që sot qeverisin i rrotullonin kamionët me mallra nga Serbia”.

“Nëse e analizojmë tregtinë me vendet e Ballkanit Perëndimor, shohim se importet me të gjitha këto vende janë ulur pa përjashtim, përveç me Serbinë. Dikush mund të thotë se tregtia është e lirë dhe ajo i përcakton importet dhe eksportet. Dakord jam me këtë. Por tregtia e lirë ka ekzistuar edhe në vitet kur këta që sot qeverisin i rrotullonin kamionët me mallra nga Serbia”, shkroi tutje ai.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share