Historiku i zgjedhjeve vendore ndër vite në Shqipëri

Pas dekada të vështira nën kthetrat e komunizimit, pas viteve ‘90 Shqipëria u fut në një vorbull të gjatë procesesh zgjedhore, që nuk i kanë ngjarë aspak njëra-tjetrës. Zgjedhjet e para për pushtetin vendor u zhvilluan në 1992, një vit pas zgjedhjeve të 1991, të cilat nuk ishin një histori e pastër demokracie.

Në Korrik të 1992, 71% e popullsisë iu drejtuan kutive të votimit. Rezultati ishte i ngushtë mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, e cila arriti të fitonte 45.43% të votave, ndërsa PD siguroi 37.1%.
Pavarësisht fitores në shumicën e bashkive, ato më të mëdhatë i mbetën Partisë Demokratike, ndërsa socialistët mundën të riktheheshin në shumë fshatra, në jug dhe qendër.

Në zgjedhjet e Tetorit të vitit 1996, Partia Socialiste u gjend në një periudhë të vështirë, me një kryetar që i drejtonte nga burgu dhe jashtë parlamentit, pasi nuk njihte zgjedhjet e 26 Majit, të zhvilluara në po të njëjtin vit.

Pavarësisht se presioni ndërkombëtar i detyroi të merrnin pjesë në zgjedhje, pasojat e kësaj situate u reflektuan në rezultat pasi humbja ishte e thellë. Fituan vetëm 4 bashki dhe 12 komuna, përballë demokratëve me 37 bashki dhe 310 komuna. Pjesëmarrja e votuesve ishte 89.1%.

Në vitin 2001, Shqipëria hyri në zgjedhje pas një sërë trazirash që kishin shkaktuar firmat piramidale dhe kur pushteti i demokratëve ishte lëkundur ndjeshëm. Kjo situatë shënoi ringritjen e Partisë Socialiste e cila arriti të fitonte gjerësisht. Me një pjesëmarrje në votime prej 60%, mori drejtimin e 28 bashkive kryesore dhe 110 komunave, ndërsa PD me 9 bashki dhe 58 komuna nuk i njohu zgjedhjet.

Zgjedhjet e vitit 2003 shënuan rezultatin më të ngushtë ndonjëherë, me një diferencë 2%. PS fitoi rreth 410 mijë vota ose 34%, kurse PD 382 mijë vota dhe rreth 32%. Nga qytetet e mëdha, opozita fitoi Elbasan dhe Korçën, por humbi Tiranën dhe Durrësin.

Gara pushtetin vendor e vitit 2007, e gjendi vendin në një kaos politik. Edi Rama në krye të Partisë Socialiste refuzonte të hynte në zgjedhjet e dekretuara në 20 Janar, me argumentin se nuk kishte garanci për një proces të rregullt.

Kjo garë shënoi edhe atë që u quajt ‘kriza e certifikatave’, pasi sipas PS, Berisha synonte manipulimin e zgjedhjeve duke lejuar qytetarët të përdornin si dokument identifikimi certifikatat e gjendjes civile.

Presidenti i asaj kohe Alfred Moisiu inicioi një marrëveshje duke e bindur opozitën dhe duke dekretuar për herë të dytë datën e zgjedhjeve. Gjithsesi, edhe pas kësaj beteje të ashpër socialistët nuk i fituan zgjedhjet. Rezultati ishte 36 bashki për PD dhe 26 për PS.

Zgjedhjet e vitit 2011, mbahen mend për përballjen e fortë të Tiranës mes kryetarit të PS, Edi Rama dhe Lulzim Bashës, i cili gjatë qeverisjes “Berisha” kishte mbajtur disa poste ministrore.

Lulzim Basha fitoi ndaj Edi Ramës me 81 vota më shumë. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 50.9%. Koalicioni i djathtë, i drejtuar nga Partia Demokratike, “Aleanca për Qytetarin”, u shpall fitues me 141.723 vota më shumë se koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste, “Aleanca për të Ardhmen”.

Në 21 Qershor 2015, zgjedhjet për pushtetin vendor u zhvilluan për herë të parë sipas ndarjes së re territoriale, e cila nuk solli asnjë ndryshim mes kampeve.

Socialistët arritën të triumfonin me një diferencë të thellë duke fituar 45 bashki kundrejt opozitës e cila arriti të siguronte vetëm 15. Përballje e fortë ishte në Tiranë, mes Halim Kosovës dhe Erion Veliajt i cili fitoi 44 mijë vota më shumë se kandidati i demokratëve. Në këto zgjedhje morën pjesë 47.83% e zgjedhësve.

Kriza politike që kishte shoqëruar çdo proces zgjedhor në Shqipëri, në vitin 2019 nuk arriti të përmbyllej me një garë kundërshtarësh. Opozita la Kuvendin, dhe nuk u fut në garë. Me një pjesëmarrje të ulët, prej 22.6%, socialistët garuan me veten dhe morën në dorë të gjitha bashkitë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share