Konflikti që të paktën publikisht dihet se filloi në mars të këtij viti dyshohet të jetë arsyeja e përplasjeve të një dite më parë në mes të dy grupeve të armatosura në Prishtinë.
Ajo çka ju mbeti në gjysmë herën e parë, e vazhduan me 1 shtator.
Ndaj Shkumbin Sekiraqës, prokuroria ngriti aktakuzë për këtë ngjarje vetëm 4 ditë para rastit të së dielës, e që sipas aktakuzës së siguruar nga televizioni Dukagjini, gjendet në paraburgim nga 3 qershori 2024.
Aktakuza tregon se Shkumbin Sekiraqa kishte nxjerrë armën e zjarrit, dhe kishte shtënë në drejtim të Gashit e më pas e kishte goditur në kokë me kondak të armës.
“Me këto veprime i shkakton lëndime në kokë dhe një plagë në këmbën e djathtë, i dëmtuari (Pajtim Gashi) ka arrit të largohet nga vendi i ngjarjes, i pandehuri (Shkumbin Sekiraqa) ka vazhduar që të gjuaj në drejtim të tij,” thuhet në aktakuzë.
Shkumbin Sekiraqa në polici në deklarimin e tij kishte mohuar përfshirjen në rast dhe në Prokurori ka thënë se i qëndron pas asaj deklarate.
E i dëmtuari Pajtim Gashi, duke e përshkruar ditën kritike, kishte thënë se pranë biznesit familjar kishte ardhur një person me veturë, i cili i kishte thënë “pse po më kqyr” dhe kishte filluar ta shante.
Pasi ishte larguar rreth 15 metra, tha se e kishte ndalë veturën dhe kishte filluar ta shante, e që më pas kishte ardhë edhe një tjetër person, i cili nuk kishte folur asgjë.
Më pas, kishte deklaruar se i pandehuri kishte shtënë me armë në drejtim të tij, e kur tentoi t’ia merrte armën, personi tjetër e ka goditur në qafë dhe kokë me grushte e shqelma, si pasojë e të cilave ishte rrëzuar.
Pak orë pas kësaj ngjarje, natën në drejtim të shtëpisë së Sekiraqëve ishte gjuajtur me armë, e që dyshohet se gjuajtjet ishin nga familja Gashi ose siç i njeh Prishtina që nga paralufta “Capat”.
Historik kriminal por me dënime të lehta ka edhe Sali Sekiraqa, babai i Shkumbinit.
Sali Sekiraqa akuzohet për dy vepra penale, njëra është për lëndim të rëndë trupor i akuzuar bashkë me një person tjetër, ndërsa tjetra për mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve.
Sali Sekiraqa, ani se recidivist, asnjëherë nuk është mbajtur në burg dhe 4 herë është dënuar me gjobë, 2 herë me nga 300 euro, një herë me 250 dhe një herë 1,200 euro./TV Dukagjini/